Sot para jush paraqes propozimin për zgjedhjen e dy ministrave, me qëllim kompletimin e plotë dhe funksional të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punën e resorëve kyç të pushtetit ekzekutiv.

Për ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor propozoj Muamet Hoxhën.

Kandidati posedon përvojë shumëvjeçare në administratën shtetërore dhe në pushtetin ekzekutiv, me angazhime në disa institucione dhe në pozita udhëheqëse që nënkuptojnë përgjegjësi, koordinim dhe punë në një mjedis kompleks administrativ dhe institucional. Përvoja e tij e deritanishme profesionale siguron njohje të procedurave, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nevojës për harmonizimin e politikave të ndryshme publike.


Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, shfrytëzimin racional të hapësirës dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ky resor kërkon një qasje të bazuar në ligjshmëri, stabilitet institucional dhe vazhdimësi në punë, gjë që besoj se kandidati mund ta sigurojë.

Për ministër të Çështjeve Evropiane propozoj Bekim Salin.

Bekim Sali ka përvojë të mëparshme si ministër, si dhe angazhim aktual në pushtetin legjislativ, gjë që i mundëson një kuptim të qartë të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe të mënyrës së funksionimit të institucioneve shtetërore. Kjo përvojë është veçanërisht e rëndësishme për Ministrinë e Çështjeve Evropiane, e cila ka rol koordinues në proceset që lidhen me integrimin evropian dhe obligimet reformuese të shtetit.

Resori i çështjeve evropiane kërkon punë sistematike, harmonizim të institucioneve dhe ndjekje të obligimeve që rrjedhin nga dokumentet kombëtare dhe evropiane. Pritshmëria është që kandidati të kontribuojë në koordinim më efikas dhe qasje institucionale në këto procese.

Më lejoni këtu të shpreh falënderim edhe për ministrin e mëparshëm të Çështjeve Evropiane, z. Orhan Murtezani, i cili me punën dhe qasjen e tij i dha vlerë punës së Qeverisë dhe procesit eurointegrues të shtetit. Pres që në të njëjtin frymë dhe drejtim të vazhdojmë, ndërsa Orhani në të ardhmen do të jetë pjesë e kabinetit tim dhe do ta koordinojë procesin e ndjekjes së përmbushjes së agjendës reformuese, gjë që është shumë e rëndësishme për proceset integruese evropiane të shtetit.

Të nderuar deputetë,

Qeveria që udhëheq mbetet e përkushtuar ndaj ushtrimit të përgjegjshëm, transparent dhe të ligjshëm të detyrave të saj. Prioriteti ynë është funksionimi stabil i institucioneve, zbatimi konsekuent i reformave dhe krijimi i kushteve për një cilësi më të mirë jete për qytetarët. Çdo anëtar i Qeverisë ka obligim të qartë të punojë në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, me qëllim sigurimin e besimit në institucione dhe vazhdimësinë e politikave shtetërore.

Propozimet që sot janë para jush janë të orientuara drejt sigurimit të stabilitetit, funksionalitetit dhe përgjegjësisë në punën e Qeverisë. Nga kandidatët e propozuar pritet që funksionet e tyre t’i ushtrojnë në mënyrë profesionale, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, dhe brenda kompetencave të përcaktuara me ligj.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com