Botohet libri i Agron Salihit, një kontribut i rëndësishëm në studimin e kulturës popullore shqiptare
Autori Agron Salihi sjell botimin “Këngë lirike të rrethit të Tetovës”, një vepër me vlera të veçanta kulturore dhe studimore, e cila zë një vend të rëndësishëm në strukturën shpirtërore dhe identitare të trevave shqiptare shkruan Tetovasot. Tetova me rrethinën e saj përfaqëson një hapësirë të pasur me trashëgimi gojore, ku kënga popullore ka qenë dhe mbetet një formë e fuqishme e shprehjes së jetës, ndjenjës dhe kujtesës kolektive.
Këto këngë lirike janë bartur brez pas brezi, të interpretuara nga figura të ndryshme popullore, duke marrë forma të larmishme sipas kohës, rrethanave dhe repertorit të këngëtarëve. Në këtë botim, autori Salihi ka përmbledhur dhe dokumentuar një numër të konsiderueshëm këngësh dhe poezish popullore, me synimin që ky material të shërbejë si bazë për studimin e mëtejshëm të traditës gojore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Libri vë theks të veçantë në rolin e zërit femëror në ruajtjen, transmetimin dhe artikulimin e kulturës popullore, duke e trajtuar atë si një bartës kyç të kujtesës kulturore. Për këtë arsye, përmbledhja paraqet interes të veçantë për kërkime ndërdisiplinore në fushat e etnomuzikologjisë, antropologjisë kulturore dhe studimeve gjinore.
Një vlerë e veçantë e këtij botimi qëndron në faktin se këngët janë interpretuar nga Zarije Salihi, shqiptare nga fshati Sllatinë e Tetovës, e cila në moshën 73-vjeçare ka ruajtur me besnikëri repertorin e këngës lirike popullore, ndërsa mbledhja dhe dokumentimi i tyre është realizuar nga vetë Agron Salihi. Ky libër mbetet një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë kulturore dhe e fuqisë së traditës gojore shqiptare.Tetovasot
