Çdo i treti qytetar në Maqedoni ka dhënë ndonjë lloj ryshfeti që t’i kryhet ndonjë punë. Këtë e tregojnë të dhënat e raportit të fundit për vlerësimin e korrupsionit të Qendrës së Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një pjesë të vogël të së cilit sot prezantoi drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski, në ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit – 9 dhjetor, dhe paralajmëroi se hulumtimi në tërësi do të publikohet në ditët në vijim.

Kërzhalovski në fjalimin e tij para të pranishmëve në ngjarjen theksoi se ajo që matën në raportin e fundit është se ndryshe nga vitet e kalura kur korrupsioni perceptohej si një problem kryesor në shoqëri, tani ai është në vendin e dytë.

Korrupsioni është një problem serioz, i cili është i përhapur gjerë dhe për fat të keq mjaft i pranuar, tha Kërzhalovski.

Është vënë re një përkeqësim i presionit për korrupsion krahasuar me raportin e mëparshëm, kur ai ishte në rënie. Sipas të dhënave në raportin e fundit, siç theksoi Kërzhalovski, 37 për qind të qytetarëve u është kërkuar ryshfet, e 31 përqind e tyre kanë dhënë ndonjë lloj ryshfeti që t’i kryhet ndonjë punë.

Gjyqtarët dhe prokurorët publikë si individë janë në fund të listës së besimit, ndërsa në fund është edhe fela gjyqësore-prokuroriale si institucion, ndërsa këtu besimi te deputetët dhe politikanët nuk është shumë i lartë, por besimi te Parlamenti si institucion është në një nivel të lartë.

Lidhur me besimin në institucionet që luftojnë korrupsionin, Kërzhalovski tha se KSHPK-ja mbeti në të njëjtin nivel prej 32 për qind, ndërsa besimi në MPB-në është rritur në 50 për qind.

Ben Nupnau, Zëvendës Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian, theksoi mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ofron vendit në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, por theksoi se pavarësisht mbështetjes evropiane, ata që janë kyç në këtë proces janë liderët politikë.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim të fortë politik dhe punë të vazhdueshme, duke filluar nga niveli më i lartë dhe duke vazhduar, në të gjithë spektrin politik, në të gjitha institucionet, në të gjithë shoqërinë”, shtoi ai.

Nupnau theksoi se asnjë vend nuk është imun ndaj korrupsionit, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në BE.

Këto ditë, ish-nënkryetarja e KE-së dhe ish-Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federika Mogerini, e cila drejtoi Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) nga viti 2014 deri në vitin 2019, dhe Stefano Sanino, ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS, ishin nën dyshime për korrupsion.

Nupnau vuri në dukje se anëtarët e BE-së po kërkojnë vazhdimisht modalitete të reja për përballje me këtë fenomen dhe paralajmëroi se po përgatitet një direktivë e re për të forcuar përballjen me korrupsionin.

Pas zgjedhjeve, shtoi ai, është e nevojshme të shihet përparim në zbatimin e reformave në vend, të miratohet një Kod i ri Penal dhe të respektohen standardet ndërkombëtare në këtë fushë.

“Aktorët politikë nuk duhet të ndërhyjnë në gjyqësor”, shtoi Nupnau, duke theksuar se është e nevojshme të sigurohen mjete të mjaftueshme për gjykatat, prokuroritë dhe organet e tjera ndihmëse në mënyrë që të kryejnë punën e tyre në mënyrë efektive.

Ambasadori zviceran, Kristof Zomer theksoi se korrupsioni mbetet në fokusin e shqetësimit, është një fenomen shoqëror që pengon zhvillimin e qëndrueshëm.

“Lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje sistemike. Korrupsioni i rrënjosur thellë kontribuon në mungesën e besimit të qytetarëve në institucione. Janë bërë disa përparime vitet e fundit, por janë të nevojshme ndryshime themelore për të ndërtuar mekanizma për të parandaluar këtë fenomen”, tha Zomer.

Ai kujtoi rekomandimet dhe vëzhgimet e KE-së në raportin për vendin në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori i Suedisë, Ola Sulstrom theksoi se vendi i tij është fuqimisht i përkushtuar ndaj nevojës për përballje të vazhdueshme me korrupsionin.

“Korrupsioni është një sëmundje e shoqërisë, ai shterron burimet publike nga shëndetësia, arsimi, reformat, një jetë më e mirë, dhe më pas të rinjtë mund të kërkojnë të ardhmen e tyre diku tjetër. Ai gjithashtu shterron burimet nga investimet, njerëzit, ekonomia, e ardhmja. Ai gjithashtu shterron jetën, energjinë dhe besimin në institucione, dhe për këtë arsye është thelbësore që e gjithë kjo të mos bëhet pjesërisht ose një herë në vit”, tha Sulstrom.

Shefi i Departamentit për Siguri dhe Mbështetje të Komuniteteve të Misionit të OSBE-së në Shkup, Edvard Anderson, theksoi se është e lehtë të flitet teorikisht dhe se për një luftë efektive kundër korrupsionit janë të nevojshëm individë që do t’i çojnë proceset përpara në praktikë.

Ai theksoi se Misioni i OSBE-së punon në më shumë nivele si me autoritetet lokale ashtu edhe me ato qendrore, si dhe me të gjithë aktorët e tjerë shoqërorë, me qëllim që të mundësohet intensifikimi i luftës kundër korrupsionit, si një proces gjithëpërfshirës. Është shumë e rëndësishme, shtoi ai, të punohet me njerëzit në institucione në drejtim të mbrojtjes së integritetit, sepse, siç theksoi, nëse në një komunitet të gjithë policët punojnë mirë dhe njëri jo, atëherë qytetarët do të kenë një perceptim se policia nuk punon mirë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com