Deputeti Ilir Demiri sqaroi sot për ALSAT se akti i tij për të vepruar si deputet i pavarur, nuk nënkupton largim nga Aleanca për Shqiptarët, por, një iniciativë pajtuese. Në një bisedë të shkurtër telefonike, Demiri e quajti aktin si iniciativë për të bashkuar deputetët e ASH-ve në një grup të vetëm parlamentar. Me këtë rast, Demiri thekson se ka filluar bisedimet me deputetët e krahëve të Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, me qëllim kapërcimin e mosmarrëveshjeve. Në fokusin e tij është edhe krahu i Arben Fetait, i cili për dallim, ka refuzuar bashkëpunimin me BDI-në, duke qëndruar në Qeveri.

Iniciativa e Demirit vjen pasi partia e tij e kryesuar nga Sela, pas 20 muajsh bashkëpunim, doli nga koalicioni me BDI-në, të cilin e kishte operacionalizuar fillimisht në kuadër të Frontit Evropian, ndërsa më pas në Aleancën Kombëtare për Integrim. Çarja ndodhi pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale ku AKI, humbi udhëheqjen në shumicën e komunave, ndërsa ASH-ja mbeti pa asnjë kryetar lokal.

Kjo ka bërë që të ndryshojë dhe pasqyra e përfaqësimit të partive në Kuvend. Fronti Evropian, pas daljes së Menduh Thaçit, Bejxhan Iljazit dhe së fundmi e katër deputetëve të Selës është tkurrur në 12 deputetë, nga të cilët 10 janë të BDI-së plus deputetët Sali Murat dhe Skender Rexhepi.

Në bashkëpunim joformal, Fronti ka edhe 3 deputetët e ASH-së së Taravarit. Megjithatë, bashkëpunimi me ta do të varet nga mbështetja e BDI-së në zgjedhjet lokale në Gostivar dhe Vrapçisht. Ndonëse nga BDI janë shprehur se do ta mbajnë fjalën për mbështetjen e kandidatëve të Taravarit, megjithatë më 20 dhjetor pritet që të mbahet kongresi partiak. Paralajmërimet janë se do të ketë ndryshime kadrovike te partia e Ali Ahmetit. Nuk dihet nëse do të ketë ndryshime në strategjinë e integristëve, sidomos për Gostivarin, të cilin Taravari e quajti bazë të re të opozitës shqiptare.

Si rezultat i përçarjeve, ASH-ja sot në Kuvend ka deputetë edhe në pozitë edhe në opozitë. Si subjekt ka prodhuar 8 deputetë, prej të cilëve 4 të krahut të Selës, 3 të Taravarit dhe 1 deputet i krahut të Arben Fetait.

Ziadin Sela nga ana tjetër e ka quajtur bashkimin e ASH-ve mision të pamundur, pa e mohuar edhe mllefin personal ndaj Taravarit për dëmtimin e subjektit para zgjedhjeve të 2024. Paraprakisht kishte vënë kusht që Taravari të kërkonte falje për përçarjen e partisë dhe aktin ta shoqëronte me braktisje nga posti i kryetarit.

Ndërkohë Taravari, për temën e bashkimit ishte shprehur se shtëpia e ASH-së është e hapur dhe të gjithë janë të mirëseardhur.

Në opinion qarkullojnë zëra se ideja e një Aleance të re të sendërtuar nënkuptonte që asnjë prej liderëve të tanishëm të mos ishte në krye të këtij riunifikimi. Ditë më parë, edhe Krenar Lloga njoftoi largimin nga postet partiake, por jo edhe nga jeta politike. Dy aleancat, prej gati dy vjetësh janë edhe në kontest gjyqësor për vulat e partisë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com