Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Jorida Tabaku e vizitoi Universitetin e Tetovës dhe ligjëroi për integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor
Në Klinikën Juridike të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, më 23 dhjetor 2025, u mbajt një ligjëratë publike nga Jorida Tabaku, deputete në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Tema e ligjëratës ishte “Integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor: sfidat dhe perspektivat – rasti i Shqipërisë”, duke trajtuar zhvillimet aktuale, reformat kyçe dhe perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në hapje të aktivitetit, dekani i Fakultetit Juridik Prof. Dr. Safet Emruli i uroi mirëseardhje znj. Tabaku, duke theksuar rëndësinë e diskutimit të procesit të integrimit evropian në një institucion të arsimit të lartë, veçanërisht për formimin profesional dhe kritik të studentëve. Ai nënvizoi se procesi i integrimit evropian përfaqëson një sfidë të rëndësishme politike dhe juridike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa rasti i Shqipërisë, përmes reformave në drejtësi dhe harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian, ofron përvoja të vlefshme edhe për vendet e tjera të rajonit.
Ndërsa ligjërata e zonjës Tabaku u fokusua kryesisht në përvojën e Shqipërisë në eurointegrime duke u nisur nga marrëveshja e Selanikut e deri më sot, duke e gërshetuar me rrugëtimin e shteteve të rajonit, momentet kyçe që çuan në hapërimin e ndryshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor në këtë rrugëtim i cili nuk mund të jetë i plotësuar pa integrimin e përbashkët të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor si tërësi.
Paraprakisht, znj. Tabaku zhvilloi një takim miqësor me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ku u diskutua mbi bashkëpunimin akademik, rolin e universiteteve në proceset integruese dhe rëndësinë e dialogut institucional në fushën e arsimit dhe të së drejtës.
Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli këtë aktivitet e vlerësoi si kontribut të rëndësishëm në pasurimin e debatit akademik dhe forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Shqipërisë.