Nga Urim Saliu
Kaloi nata e parë në qetësinë e varrit, por dhimbja që ai la pas është e papërshkrueshme, sidomos për një nënë që ka kaluar vite të tëra mes sakrificave, frikës, shpresës dhe dashurisë. Dy jetë të reja i ka përcjellë ajo në këtë mënyrë të rëndë, por kjo e Shpatit është plagë që nuk mbyllet kurrë. Është një dhimbje që nuk ka fjalë, nuk ka kufi, nuk ka kohë që ta zbehë. Për nënën e tij do të nisë një dimër i gjatë vetmie, një dimër që nuk e ngroh dot asgjë, sepse djali i saj, drita e syve, nuk do t’i trokasë më në derë.
Ikja e Shpat Kasapit i ka prekur të gjithë. Nuk ka njeri që nuk u dridh nga kjo humbje. Por boshllëkun më të thellë do ta ndjejnë ata që ishin gjak i tij, frymë e tij, nëna që e solli në jetë, bashkëshortja që ndau me të ëndrrat dhe sfidat, dhe ai fëmijë i vogël që do të rritet duke përqafuar vetëm kujtimet, fotografitë, zërin e këngëve të babait, por jo vetë babanë.
Zëri i Shpat Kasapit do të degjohet përgjithmonë. Ai do të vijë si një erë e butë nëpër dritaret e kujtimeve, do të prekë zemrat e njerëzve sa herë që këngët e tij të luhen diku, sa herë një melodi e tij të zbresë në shpirtin e dikujt. Ai nuk do të mungojë në asnjë skenë ku është kënduar dikur me pasion. Çdo hap, çdo notë, çdo buzëqeshje e tij do të jetojë në mendjen e atyre që e ndoqën, e dëgjuan dhe e deshën.
Shpati nuk iku,ai u shndërrua në kujtim. Dhe kujtimet e bukura nuk vdesin kurrë. Ato mbeten të ngrohta, të ndritshme, si një dritë që nuk shuhet, si një yll që vazhdon të ndriçojë edhe pasi ka rënë në horizont. Në zemrat e të gjithëve ai do të jetë gjithmonë i gjallë, një këngëtar që la gjurmë, një njeri që la mall, një shpirt që la tinguj që do të prekin zemra edhe kur koha të ecë përpara.