Ajo që po prezantohet në publik si një ‘dhuratë’ e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për Edi Ramën, në fakt rezulton të ketë kosto të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar.
Gazetari Isa Myzyraj ka ngritur pikëpyetje serioze mbi marrëveshjen për avionin presidencial, duke theksuar se ai nuk i është dhuruar Shqipërisë pa detyrime konkrete financiare.
Sipas Myzyraj, referuar një dokumenti zyrtar të publikuar në Fletoren Zyrtare të Turqisë, marrëveshja përfshin klauzola të qarta që ngarkojnë Shqipërinë me përgjegjësi financiare. Konkretisht, neni 14 i dokumentit parashikon ‘sigurimin’ e avionit, duke detyruar palën shqiptare të mbajë një sigurim ndërkombëtar me mbulim minimal prej 1 miliard dollarësh amerikanë.
Ky sigurim, sipas gazetarit, nuk është thjesht formal apo simbolik, por përkthehet në prime shumë të larta vjetore, të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Në praktikë, kjo do të thotë se kostot reale të përdorimit dhe mirëmbajtjes së avionit presidencial do të rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë.
Myzyraj thekson gjithashtu se bëhet fjalë për një dhuratë me karakter personal politik dhe jo për një akt klasik dhurimi shtet më shtet mes Turqisë dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai ngre nevojën për transparencë të plotë nga qeveria shqiptare mbi shpenzimet reale dhe afatgjata që kjo marrëveshje i sjell financave publike.