Në Gaza ka mbërritur dimri. I shoqëruar nga shiu dhe i ftohti që ka goditur kampet me çadra ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë, por edhe nga errësira mediatike dhe politike që ka mbuluar Rripin që prej 10 tetorit, kur hyri në fuqi armëpushimi i imponuar nga Trump.
Në këto nëntë javë, e ashtuquajtura “fazë e dytë” e planit të imponuar nga amerikanët ka hasur vështirësi për të nisur. Siç shkruan gazeta La Repubblica, në Doha, ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara nuk arritën asnjë rezultat me vendet që pritej të merrnin pjesë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit, mbi përbërjen dhe afatet e së cilës mbetet ende shumë pasiguri.
Dje, dy të dërguarit specialë të Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, paraqitën për një grup donatorësh potencialë projektin “Project Sunrise”, një plan amerikan për rindërtimin e Gazës që pak ndryshon nga ideja e “Rivierës” që kishte shkaktuar polemika muaj më parë. ( Projekti i parë i publikuar nga Wall Street Journal, parashikonte hotele luksoze në bregdet, një tren me shpejtësi të lartë dhe rrjete elektrike inteligjente të bazuara në inteligjencën artificiale, për t’u realizuar në të paktën dhjetë vjet. Kostoja e vlerësuar: 112 miliardë dollarë, nga të cilët SHBA-të do të mbulonin 20 për qind).
Witkoff dhe Kushner zhvilluan gjithashtu një takim me Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, tri vende që kishin luajtur rol kyç në arritjen e armëpushimit, për të diskutuar hapat e mëtejshëm. E vetmja risi që doli ishte angazhimi i Turqisë për të biseduar me Hamasin mbi fazën e dytë.
Pikërisht rreth Ankarasë duket se rrotullohet çelësi për zhbllokimin e ngërçit në Gaza: Izraeli nuk dëshiron t’i japë Erdoganit një rol të rëndësishëm, por burime të njohura me negociatat i thanë gazetës La Repubblica se një prani e fortë e Turqisë brenda forcës së stabilizimit do të ishte garancia e nevojshme për të bindur shumë vende myslimane mbi angazhimin e tyre në Gaza. Kjo temë pritet të jetë në qendër të takimit të 29 dhjetorit mes Trump dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu në Florida, datë kur vëzhguesit presin një kthesë për fazën e dytë.
Në samit mund të marrë pjesë edhe presidenti egjiptian Abdel Fatah al Sisi, i cili sapo ka nënshkruar me Izraelin një marrëveshje të madhe për furnizimin me gaz, të konsideruar jetik për ekonominë e brishtë egjiptiane. Në këmbim të gazit, Al Sisi mund të zbusë qëndrimet e tij mbi Gazën, veçanërisht për daljen nga kalimi i Rafahut të mijëra palestinezëve. Prej javësh Izraeli po nxit në çdo mënyrë daljet nga Gaza: synimi është largimi i sa më shumë palestinezëve, por ideja has kundërshtimin e Egjiptit dhe Jordanisë, që i frikësohen një eksodi refugjatësh që nuk do të lejohen kurrë të kthehen.
Në fund, “puzzle”-i i së ardhmes mbetet i vështirë për t’u plotësuar. E vetmja gjë e sigurt është se në qendër janë dy milionë njerëz, prej dy vitesh e dy muajsh, të lënë në mëshirën e një fati të vendosur shumë lart mbi kokat e tyre. Dje dy palestinezë u vranë sepse ndodheshin pranë “Linjës së verdhë” që ndan zonën nën kontrollin e Izraelit nga pjesa tjetër e Gazës. Të premten, gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë, humbën jetën kur një shkollë u godit nga një bombardim. Në total, që prej 10 tetorit, mbi 400 persona kanë vdekur në rrethana të ngjashme. Përveç tyre, duhet shtuar numri i të sëmurëve që kanë ndërruar jetë në pritje të evakuimit dhe dy foshnjat që humbën jetën nga hipotermia ditët e fundit.
“Gaza vazhdon të jetojë një gjendje dramatike emergjence”, thotë analisti palestinez Samer Sinijlawi. Ai shton: “Një zgjidhje ndërkombëtare është e vetmja mënyrë për ta shpëtuar. Por në të gjitha këto negociata nuk mund të përjashtohen nevojat e atyre që përpiqen të mbijetojnë në Gaza. Shoqëria civile duhet të përfshihet në fazën e dytë, dhe kjo sot nuk po ndodh.”