Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, në një konferencë për media paraqiti sot gjendjen reale financiare dhe administrative të komunës, të konstatuar pas më shumë se një muaji analizë të brendshme nga menaxhmenti i ri. Ai theksoi se prioriteti kryesor i administratës do të jetë transparenca ndaj qytetarëve, duke u zotuar se çdo veprim do të bazohet në fakte dhe përgjegjësi.

Sipas Elmazit, komuna është marrë me një borxh të akumuluar prej 170 milionë denarësh, çka ka sjellë bllokim të xhirollogarisë dhe pamundësi për ofrimin e shërbimeve bazike komunale. Ai bëri të ditur se vetëm çerdhet i detyrohen 15 milionë denarë, NPK Saraj 28 milionë denarë, kompania AKCIOS për ndriçim publik 5 milionë denarë, ndërsa NPK DELTA 3 milionë denarë.

Gjatë kontrollit të brendshëm, Elmazi tha se janë zbuluar “kontrata të dyshimta, marrëveshje të paarsyetuara dhe shpenzime të bëra pa vendim”, të cilat, sipas tij, e kanë futur komunën në kaos financiar. Ai theksoi se të gjitha këto raste janë dokumentuar dhe i janë përcjellë organeve kompetente.

“Kemi gjetur një komunë të zhytur në borxhe dhe totalisht të paorganizuar. Përmbaruesit janë aktivë dhe bllokimet e reja janë rrezik i përditshëm”, deklaroi Elmazi.

Megjithatë, kryetari u shpreh se menaxhmenti i ri ka nisur menjëherë vendosjen e rregullit financiar, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe ngritjen e transparencës në nivelin më të lartë. Ai siguroi se çdo shpenzim dhe kontratë tashmë kalon përmes filtrit të profesionalizmit dhe llogaridhënies.

“Me këtë paraqitje vendosim pikën zero – fillimin e një drejtimi të ri për Sarajin, të bazuar në rend, përgjegjësi dhe punë për qytetarët”, shtoi ai.

Elmazi premtoi se komuna do të dalë nga bllokadat financiare dhe shumë shpejt do të rikthejë funksionimin normal, me qëllim që të realizohen projektet dhe shërbimet e premtuara për qytetarët e Sarajit./TS/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com