Policia ka vënë në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.

– Advertisement –
Arrestimi është kryer në Përrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë i viktimës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se lokalizimi dhe kapja e Spahos është rezultat i disa orëve ndjekjeje dhe verifikimesh nga strukturat e Policisë së Shtetit, që po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë. Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në ekzekutim.

Policia njoftoi dje zyrtarisht se ka arrestuar ortakun e viktimës, Xhino Ago, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Po ashtu u arrestua roja i karburantit Kujtim Pisha, 52-vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Në kërkim u shpall Marselo Arani 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Marselo Arani është arrestuar më herët nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Agos i cili ia ka dhënë me hua shtetasit Marselo Aranit.

Shkak i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve mes dy ortakëve, ndërsa grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com