Evropa ka krijuar Komisionin Ndërkombëtar për Dëmshpërblime për Ukrainën, një veprim që synon të sigurojë që Kievi të marrë kompensim për qindra miliarda dollarë dëme të shkaktuara nga sulmet ruse dhe krimet e mundshme të luftës.
Mbledhja në Hagë e dhjetëra udhëheqësve, përfshirë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përkoi me një përpjekje diplomatike të udhëhequr nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Çdo krim lufte rus duhet të ketë pasoja për ata që e kanë kryer atë”, tha Zelenskiy përpara se 34 liderë evropianë të nënshkruanin një konventë për të nisur zyrtarisht komisionin.
“Këtu fillon rruga e vërtetë drejt paqes”, shtoi ai. “Nuk mjafton ta detyrosh Rusinë të bjerë dakord. Nuk mjafton ta detyrosh të ndalojë vrasjet. Duhet ta detyrojmë Rusinë të pranojë se ka rregulla në botë.”
Drejtësia dhe përgjegjësia për dëmin e shkaktuar
Kryeministri holandez, Dick Schoof, tha se drejtësia duhet të lejohet të marrë rrugën e saj sapo të arrihet paqja në Ukrainë.
“Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon që Rusia të kompensojë Ukrainën për dëmin që ka shkaktuar”, tha Schoof në një konferencë në Hagë. “Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri.”
Rusia nuk duhet të shmangë pagesën e faturës për luftën e saj në Ukrainë, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në hapjen e Komisionit Ndërkombëtar.
Komisioni, i cili do të konfirmojë dëmet e luftës në Ukrainë që do të paguhen nga Rusia, u dërgon një mesazh agresorëve të ardhshëm, tha Kallas, se “nëse filloni një luftë, do të mbaheni përgjegjës”.
Por, themelimi i komisionit nuk do të thotë që Ukraina mund të presë dëmshpërblime të shpejta, thekson Reuters.
Mekanizmi i kompensimit të dëmeve është ende në zhvillim e sipër
Detajet se si do të paguhet çdo kompensim i dhënë nga komisioni, i cili do të ketë selinë në Holandë, ende nuk janë përcaktuar. Bisedimet e hershme kanë prekur përdorimin e aseteve të ngrira ruse, me kontribute nga anëtarët.
Regjistri i Kërkesave, i cili është krijuar dy vjet më parë dhe do të bëhet pjesë e komisionit të ri ndërkombëtar, ka marrë tashmë mbi 86,000 kërkesa të paraqitura nga individë, organizata dhe organe publike në Ukrainë në një gamë të gjerë kategorish.
Më shumë se 50 shtete dhe BE-ja kanë hartuar një konventë të Këshillit të Evropës për themelimin e komisionit, e cila do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga të paktën 25 nënshkrues, me kusht që të sigurohen fonde të mjaftueshme për të financuar punën e tij.
Komisioni – pjesa e dytë e mekanizmit ndërkombëtar të kompensimit për Ukrainën – do të shqyrtojë, vlerësojë dhe vendosë mbi kërkesat e paraqitura në Regjistrin e Dëmeve për Ukrainën, i cili u krijua nga Këshilli i Evropës në vitin 2023, dhe do të përcaktojë dhënien e kompensimit rast pas rasti.
Zyrtarët rusë nuk ishin menjëherë të disponueshëm për komente. Kremlini mohon akuzat për krime lufte nga forcat ruse në Ukrainë. Kremlini gjithashtu e ka përshkruar një propozim të BE-së për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar nevojat e mbrojtjes dhe buxhetit të Ukrainës si të paligjshëm dhe ka kërcënuar me hakmarrje.
Planet për të kompensuar viktimat e abuzimeve në Ukrainë, nga dhuna seksuale dhe deportimet e fëmijëve deri te shkatërrimi i vendeve fetare, mund të komplikohen nëse një amnisti për krimet e luftës përfshihet në ndonjë marrëveshje paqeje.
Banka Botërore ka vlerësuar koston e rindërtimit të Ukrainës gjatë dekadës së ardhshme në 524 miliardë dollarë (447 miliardë euro).