Shefi i Kabinetit të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmetit, Faton Ahmeti, ka uruar Bajram Rexhepin për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit të Degës së BDI-së në Tetovë.
Në mesazhin e tij urues, Ahmeti i ka dëshiruar Rexhepit shëndet dhe suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e angazhimit dhe përkushtimit në drejtimin e Degës së Tetovës, njofton TS.
Ai ka shprehur gjithashtu falënderim të veçantë për anëtarësinë e Tetovës, kryetarët dhe kryesitë e këshillave vendorë, si dhe për kryesinë e degës, të cilët, sipas tij, me punë të palodhshme dhe përkushtim kanë përballuar një periudhë sfiduese trevjeçare.
Faton Ahmeti ka uruar që në periudhën e ardhshme të realizohet një ristrukturim i shëndoshë i Degës së Tetovës, në funksion të forcimit të organizimit dhe mobilizimit politik.
Kujtojmë se Faton Ahmeti është zgjedhur sot shef i Kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë mbledhjes së Kryesisë Qendrore të partisë.