Gjykata e Strugës nesër pritet që të caktojë një gjyqtar për padinë e policisë ndaj Komunës së Strugës si person juridik dhe kreut të Komunës Mendi Qyra lidhur me mos vendosjen e flamurit shtetëror në manifestimin kushtuar 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë.
“Lënda i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Strugë nga ku na njoftuan se nesër do t’i ndahet gjykatësit përkatës i cili do t’i shqyrton të gjitha rrethanat. Kundërvajtja i ngarkohet Qyrës mbi dyshimet se si organizator i ngjarjes së ditës së pavarësisë, përveç flamujve të bashkësive etnike nuk kishte flamur shtetëror as në binë e as në pedonalen e Lumit Drin”, raporton Miki Trajkovski, Gazetar.
Nëse Gjykata e vërteton fajësinë, Komuna dhe Kryetari Qyra rrezikojnë gjobë.
“Me gjobë prej 30.000 deri në 200.000 denarë do të ndëshkohet për shkelje personi juridik, në këtë rast Komuna e Strugës, e cila vepron në kundërshtim me nenin 6 të këtij ligji. Për shkeljen nga paragrafi 1 i këtij neni do të ndëshkohet me gjobë prej 10.000 deri në 30.000 denarë edhe personi përgjegjës në personin juridik, në këtë rast kryetari i komunës, Mendi Qyra”, thuhet në Ligjin për përdorimin e flamujve të komuniteteve.
Nga Komuna e Strugës nuk deshën të komentojnë procedurën kundër tyre. As kreu i Komunës Mendi Qyra i cili ndodhet në takim me diasporën në Zvicër nuk komentoi procedurën ndaj tij. Kryeministri Mickoski kishte shprehur zhgënjimin e tij ndaj Qyrës për mungesën e flamurit shtetëror. Qyra nga ana tjetër mungesën e flamurit shtetëror në manifestimin e 28 nëntorit e cilësoi si lëshim. Qyra u shpreh i bindur se bashkëpunimi me këshilltarët e partisë së Mickoskit do të jetë në nivel. Por nga ana tjetër VLEN dhe VMRO assesi të merren vesh rreth kreut të Këshillit të Komunës së Strugës. Nga VMRO-DPMNE thanë për Alsat se nëse kryesimi i këshillit nuk u përket atyre deri më 31 dhjetor, afati ligjor për miratimin e buxhetit komunal, ata do të largohen nga koalicioni me VLEN-in në nivel lokal. /Alsat.mk