Fetai: Nga deklarimet formale drejt rezultateve të matshme! Korrupsioni luftohet vetëm me mekanizma konkret zbatimi
Dokumentet strategjike kanë vlerë reale vetëm kur përkthehen në mekanizma konkretë zbatimi, monitorimi dhe llogaridhënieje, duke e zhvendosur fokusin nga deklarimet formale drejt rezultateve të matshme, kështu u shpreh Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Qeverisje të Mirë, z. Arben Fetai, në Sesionin e 11-të të Konferencës së Shteteve Palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (COSP11), e cila po mbahet në Doha, Katar.
Zëvendëskryeministri Fetai foli në panelin kushtuar strategjive gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit në Evropën Juglindore, ku theksoi se politikat dhe strategjitë kundër korrupsionit japin rezultate të qëndrueshme vetëm kur mbështeten nga udhëheqje e fortë qeveritare, koordinim efektiv institucional dhe përfshirje aktive e shoqërisë civile.
Duke iu referuar përvojës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ai theksoi rëndësinë e qasjeve të bazuara në të dhëna, digjitalizimit të proceseve dhe transparencës institucionale si mjete kyçe për reduktimin e hapësirave për korrupsion dhe për rikthimin e besimit publik në institucione.
Pjesëmarrja e Zëvendëskryeministrit Fetai në COSP11 është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme ndërkombëtare të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për forcimin e qeverisjes së mirë, integritetit institucional dhe bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit.