Filipçe do të publikojë “bomba” të reja, VMRO-DPMNE thotë se është ironike kur Filipçe flet për luftë kundër krimit
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi një seri të re “bombash 2.0” për skandalet e pushtetit, përmes të cilave, sipas tij, do të zbulohen skema të korrupsionit. Ai përsëriti se do ta thërrasë prokuroren evropiane Laura Koveshi që të njihet nga afër me skandalin e programit IPARD 3, si dhe do të kërkojë ndihmë nga ekipi italian antikorrupsion që ka luftuar kundër mafias Cosa Nostra.
“Do të kërkojmë ndihmë dhe do të paraqesim iniciativë edhe te institucionet antikorrupsion në Itali, të cilat për vite e dekada janë përballur me mafien më të organizuar, Cosa Nostra. Nëse ata ia dolën me Cosa Nostran, mundemi edhe ne të merremi këtu me këtë mafie të VMRO-DPMNE-së. Ne i kemi përgatitur bombat e reja 2.0. Njoftoj se nesër vjen një e re – skandal i ri, skemë e re korrupsioni, që përfshin anëtarë të pushtetit aktual”, tha Venko Filipçe – kryetar I LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE u përgjigjën se është ironike që Filipçe flet për luftën kundër krimit, duke theksuar se ata janë të fundit që kanë të drejtë të flasin për këtë temë.
“Është padyshim ironike kur Venko Filipçe flet për luftë kundër krimit. Është njësoj sikur një njeri me zakone të dyshimta morale ta vendosësh të japë mësim etike. Qesharake, por LSDM e paraqet si gjë serioze. Ky paraqitje e LSDM-së, pra e Filipçes, është edhe një ‘harakiri’ politik – përpjekje për të larë diçka që nuk pastrohet as në ujë të nxehtë, as në të ftohtë”, pohoi Valentin Manasievski – VMRO-DPMNE.
Në fund, Filipçe njoftoi edhe formimin e një ekipi antikorrupsion në parti, që sipas tij, do të jetë një nga shtyllat kryesore të programit të ri. Ai tha se ekipi përbëhet nga të rinj dhe do të jetë një forcë e re që do të hetojë dhe zbulojë të gjitha skemat e korrupsionit të pushtetit. Po ashtu, paralajmëroi se së shpejti do të publikohet një platformë ku qytetarët do të mund të raportojnë korrupsionin.