Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova fjalimin e fundvitit në Kuvend e filloi me tragjedinë në Koçan, ngjarjen me pasoja të tmerrshme për të cilën tha se e solli vendin në një gjendje zie dhe traume kolektive. Kërkesat e prindërve për drejtësi janë legjitime dhe jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe gjyqësori është ai që duhet ta sjellë drejtësinë, theksoi ajo.

“E kuptoj dhimbjen e familjeve të viktimave, e kuptoj zemërimin dhe mllefin e tyre të arsyeshëm. Kërkesat e tyre për të vërtetën, për përgjegjësi dhe për drejtësi janë absolutisht legjitime. Mënyra e vetme ligjore me të cilën shteti mund t’i përmbushë kërkesat legjitime të familjeve është përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV-së.

Megjithatë, pjesën më të madhe të fjalimit të saj, Siljanovska ia kushtoi procesit eurointegrues të vendit dhe rrugës së bllokuar evropiane. Ajo tha se, pavarësisht se kemi rezultate të vazhdueshme, problemi ynë nuk janë kriteret e Kopenhagës, por ndryshimet kushtetuese. Nëse Bashkimi Evropian ka një zgjidhje për Ukrainën, duhet të gjejë edhe për ne, theksoi Siljanovska.


“Në peshoren e Bashkimit Evropian, më duket se ndryshimet tona kushtetuese kanë peshë më të madhe sesa reformat thelbësore. Pa garanci të qarta nga BE-ja dhe nga Bullgaria dhe pa mekanizma të përshtatshëm mbrojtës, me edhe një ndryshim tjetër kushtetues ne rrezikojmë që nga ky proces të dalim ashtu siç doli plaku i Heminguejit nga deti – me skeletin e peshkut, me një sovranitet, identitet, kombëtar dhe kulturor të zhveshur e të gërryer”, shtoi tha Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV-së.

Siljanovska i përmendi edhe informacionet lidhur me pranimin e mundshëm të migrantëve, por nuk tha se diçka e tillë nuk ekziston; përkundrazi, theksoi se nëse ata janë problem për Britaninë, për ne do të ishin problem edhe më i madh dhe për këtë arsye duhet pasur kujdes. Ajo e lavdëroi edhe projektin “Safe City”, për të cilin tha se është shumë i rëndësishëm për sigurinë në trafik. Edhe kësaj here përmendi çështjen e ikjes së të rinjve, por edhe politikat për bashkatdhetarët në diasporë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com