Rami Mislimi
Edhe pse kanë mbijetuar falë narrativës se një ditë do të bashkohen në një parti të vetme me një lider nën ombrellën e VLEN-it, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se ky projekt nuk do të ketë sukses. Deri më sot, brenda VLEN-it janë thelluar përplasjet rreth asaj se kush do ta marrë “bajrakun”: Izet Mexhiti apo Bilall Kasami. Kjo tregon se mashtrimi njëvjeçar po shteron dhe po i vjen fundi.
Bilall Kasami nuk pranon që Mexhiti të jetë lider i VLEN-it. Nga ana tjetër, krahu i BESA-s, me Adnan Azizin në krye, ka propozuar një të ashtuquajtur “model gjerman”, me president dhe kryetar partie, ku vendimet do të merren nga dy figurat kryesore. Ky model në fakt tregon mungesë të plotë besimi mes partnerëve dhe pamundësi për të pasur një lider real.
Ideja e Adnan Azizit vështirë se do të kalojë filtrat e Lëvizjes Demokratike të Mexhitit, pasi Mexhiti nuk pranon të jetë sërish “i dyti”, rol që sipas tij e ka pasur për 20 vite nën Ali Ahmetin.
Tani që koha po mbaron dhe narrativa e bashkimit po humb kuptimin, VLEN-i po përballet me një fund që mund të shndërrohet edhe në fillimin e një ndarjeje të hapur mes Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit.
Një nga skenarët më “pak të dhimbshëm” që po kalkulohet është që Izet Mexhiti të jetë lider i VLEN-it, por pa Bilall Kasamin dhe Lëvizjen BESA.
Nëse ky propozim arrin kompromis me partnerët e tjerë, ekziston mundësia reale që BESA e Kasamit dhe Azizit të përjashtohet edhe nga qeveria.
Thuhet se një sinjal pozitiv për këtë skenar nuk e ka kundërshtuar Arben Fetahi, edhe pse nuk ka parti dhe as vulë, as Bekim Qoku, po ashtu pa parti dhe pa vulë, si dhe Afrim Gashi. Në këtë vijë kalkulimi qëndron edhe ministri shqiptar i VMRO-së, Fatmir Limani, i cili prej kohësh ka marrëdhënie të acaruara me Bilall Kasamin.
Nxjerrja në skenë e Nevzat Bejtës në Gostivar shihet si një sinjal i fuqishëm se Mexhiti po e rrethon Kasamin nga të gjitha anët, duke ia kufizuar horizontin politik në boshtin Tetovë–Grupçin–Tearcë, një hapësirë e reduktuar në çështje komunale, larg politikave nacionale dhe strategjike.
Plani i Mexhitit për t’u bërë lider i VLEN-it po merr formë. Nën ombrellën e këtij koalicioni parashikohen të jenë Mexhiti, Qoku, Fetahi, Gashi dhe Fatmir Limani. Nëse ky konfigurim finalizohet pas Vitit të Ri, kryeministri Mickoski pritet të jetë garancia kryesore që ky grupim, në rast zgjedhjesh në prill ose tetor, të jetë pjesë e “Qeverisë Mickoski 2”.
Ky kombinim, me Izet Mexhitin në krye, thuhet se mbështetet fillimisht nga kryeministri Mickoski, nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, si dhe nga disa përfaqësues ndërkombëtarë në Maqedoninë e Veriut.
Deri në momentin kur plani i Mexhitit për lidershipin e VLEN-it të bëhet zyrtar, pritet të vazhdojë loja me data të pafundme dhe deklarata se “jemi afër marrëveshjes”, duke shtyrë vendimin përfundimtar dhe duke blerë kohë për të mbajtur gjallë mashtrimin ndaj simpatizantëve.