Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi se bashkë me nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare kanë zhvilluar një takim pune me ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, ku në fokus ishte Kodi Zgjedhor.
“U pajtuam që deri në gjysmën e dytë të janarit, Ministria e Drejtësisë të formojë një grup pune që do të fillojë përgatitjen e një Kodi të ri Zgjedhor”, deklaroi Gashi, duke shtuar se në këtë grup do të përfshihen nga dy përfaqësues të partive politike si dhe deputetë të pavarur.
Sipas tij, ministri Filkov ka informuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në qershor të vitit 2025 dhe se ato përfshijnë një pjesë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Gashi theksoi se Kodi Zgjedhor aktual ka pësuar rreth 40 ndryshime që nga miratimi i tij.
“Këto ndërhyrje të pjesshme kanë krijuar mospërputhje në të gjithë ligjin, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit”, u shpreh ai.
Procesi i përgatitjes së Kodit të ri Zgjedhor, sipas kryeparlamentarit, do të zhvillohet në Kuvend dhe pritet të kalojë përmes një dialogu konstruktiv ndërmjet të gjitha partive politike, si dhe me përfshirjen e publikut ekspert. “Qëllimi ynë është që ky proces të finalizohet me konsensus politik nga të gjithë deputetët”, përfundoi Gashi.