Mekanizmat e ndërtimit të kompanisë “Bechtel & Enka”, gjatë kryerjes së gërmimeve, kanë dëmtuar tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, për shkak të së cilës qyteti dhe vendbanimet përreth kanë mbetur pa ujë të pijshëm.

Ndërmarrja publike “Komunalec” njoftoi se bëhet fjalë për një defekt të madh, ku janë dëmtuar dy gypa kryesorë furnizues pranë fshatit Zdunjë, dhe për momentin nuk dihet kur do të sanohen plotësisht dëmet.

Fillimisht, bëhet fjalë për dëmtimin e një tubi kryesor me diametër 500 mm dhe një tjetër ndihmës me diametër 200 mm, të cilët furnizojnë me ujë nga burimi i Vardarit deri te konsumatorët.

“Si rezultat i dëmtimit të tubacionit kryesor të rrjetit të ujësjellësit në Gostivar, të shkaktuar nga gërmimet e mekanizimit të Bechtel & ENKA, realizuesit të autostradës së Korridorit 8, pa njoftim paraprak, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në të gjithë territorin e qytetit të Gostivarit”, thuhet në njoftim.

Ata shtojnë se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin sa më të shpejtë të dëmtimit.

“Furnizimi me ujë do të rikthehet pas përfundimit të riparimeve. Kërkojmë falje për shqetësimin dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin”, njoftuan nga “Komunalec”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com