Pep Guardiola ka hedhur poshtë sugjerimet se ky mund të jetë sezoni i tij i fundit te Manchester City, duke bërë shaka se do të largohet nga “Etihad Stadium” vetëm kur të jetë “75 ose 76 vjeç”.

Përpara ndeshjes së fundit të Cityt para Krishtlindjeve – në shtëpi ndaj West Hamit të shtunën – u intensifikuan zërat se Guardiola po planifikonte të dorëhiqej në fund të këtij sezoni.

Guardiola nënshkroi një kontratë të re dyvjeçare me Cityn mes një forme të dobët në nëntor 2024, duke e lidhur të ardhmen e tij me klubin deri në fund të sezonit 2026-27.

Viti i ardhshëm do të shënojë 10-vjetorin e emërimit të Guardiolës si trajner i Cityt, me 55.3% të ndeshjeve të tij si trajner (558 nga 1,008) që kanë ardhur me klubin anglez.

Kishte sugjerime se trajneri i Chelseat, Enzo Maresca – ish-ndihmës i Guardiolës – mund ta zëvendësonte atë sezonin e ardhshëm, por për momentin, ai nuk po shkon askund.

“Tre ose katër vitet e fundit, çdo herë gjatë një periudhe të caktuar, dikush më bën këtë pyetje,” tha Guardiola, 54 vjeç, të premten, kur u pyet për të ardhmen e tij.

“Herët a vonë, kur të jem 75 ose 76 vjeç, do të largohem nga Manchester City!”, shtoi ai.

“E kuptoj pyetjen kur jam në fund të kontratës, por kam edhe 18 muaj dhe jam shumë i lumtur dhe i entuziazmuar për zhvillimin e ekipit dhe për të qenë këtu. Kaq kam për të thënë. Kjo pyetje ndodh çdo sezon në një moment të caktuar dhe jam në rregull me këtë”, u shpreh spanjolli.

“Klubi dhe unë jemi jashtëzakonisht të lidhur sa i përket vendimeve që duhet të marrim dhe kur të vijë momenti që rrugët të ndahen, do të ndodhë”, bëri me dije ai.

Guardiola pranoi se nuk ka pasur bisedime për një tjetër zgjatje kontrate dhe tha se drejtuesit e Cityt duhet të jenë gjithmonë të përgatitur për çdo skenar, por ai nuk ka ndërmend të largohet me dëshirën e tij.

“Nuk ka diskutime – fund i çështjes. Nuk ka diskutime,” vazhdoi Guardiola.

“Nuk do të jem këtu përjetë, e kam thënë më parë, nuk do të jem këtu përgjithmonë. Askush nga ne nuk është i përjetshëm në këtë botë, por nuk ka diskutime”, tha ai.

“Ajo që do të ndodhë, do të ndodhë dhe klubi duhet të jetë i përgatitur për gjithçka. Ata janë këtu, përveç nëse vendosin ta shesin klubin, gjë që nuk besoj se do të ndodhë. Për pjesën tjetër, klubi duhet të jetë i përgatitur, por kjo temë nuk është në tryezë për momentin”, përfundoi Guardiola.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com