Në Klinikën Universitare të Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive u kryen dy operacione jashtëzakonisht të ndërlikuara mikro-kirurgjikale, të cilat zgjatën nga 6 deri në 12 orë dhe kërkuan nivelin më të lartë të përgatitjes, ekspertizës, saktësisë dhe koordinimit ekipor. Ndërhyrjet u realizuan nën mentorimin e prof. dr. Jan Jerun Vranks nga Belgjika, ekspert i shquar evropian dhe botëror në fushën e mikro-kirurgjisë rekonstruktive dhe viziting profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

“Këto ndërhyrje janë dëshmi se kur në klinikat tona investohet në dije, teknika bashkëkohore dhe punë ekipore, rezultatet janë në nivelin e qendrave më të mira evropiane. Jam mirënjohës për mbështetjen dhe mentorimin e prof. dr. Jan Jerun Vranks dhe krenar për të gjithë ekipin e Klinikës Universitare të Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive, sepse me këto ndërhyrje ndikojmë në rikthimin e besimit në cilësinë e shërbimeve që qytetarët mund të presin nga shëndetësia publike.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Drejtoresha e Klinikës, dr. Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, theksoi se këto ndërhyrje përfaqësojnë një hap të madh drejt zhvillimit të mikro-kirurgjisë rekonstruktive moderne në vendin tonë.


“Ndërhyrjet e kryera me sukses janë një tjetër konfirmim i aftësive dhe profesionalizmit të personelit mjekësor vendas, si dhe i bashkëpunimit të motivuar me ekspertë botërorë si prof. dr. J. J. Vranks, i cili na udhëheq dhe na orienton me entuziazëm dhe ambicie drejt një epoke magjepsëse për kirurgjinë plastike rekonstruktive maqedonase.”,- theksoi drejtoresha.

Pas operacionit, të dy pacientët janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë.

“Te njëri nga pacientët u trajtua një defekt kompleks i hundës pas resekcionit të një tumori. U realizua një rindërtim i plotë tredimensional i hundës. Operacioni përfshiu përdorimin e kërcit për formimin e strukturës së hundës dhe një flep të lirë të lëkurës që mbulon këto struktura si dhe dyshemenë e hundës, me lidhjen e domosdoshme të enëve të gjakut nën mikroskop. Ky lloj rindërtimi, i realizuar në një akt të vetëm operativ, është jashtëzakonisht i rrallë edhe në nivel botëror.”,- shpjegon dr. Bisera Nikollovska, shefe e Departamentit të Mikro-kirurgjisë dhe Kirurgjisë Rekonstruktive.

Nga Klinika theksojnë se sukseset janë rezultat i punës së përbashkët dhe përkushtimit të një ekipi multidisiplinar të përbërë nga kirurgë plastikë: bashkëpunëtore shkencore dr. Bisera Nikollovska, as. dr. Gordana Georgieva, as. dr. Blagoja Srbov, si dhe mjekë specializantë: dr. Jasmina Dobrevska, dr. Elizabeta Mjovska, dr. Viktorija Onçeva, dr. Emona Kadriu dhe dr. Sanja Petrovska.
Ekipi i anesteziologjisë përbëhej nga: dr. Mirjana Burmuzovska; teknikë anestezie: Marjan Trajanovski, Hatixhe Iseini, si dhe infermiere instrumentare Anita Petrushevska dhe Snezhana Çuknieva.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com