Sot, në Ministrinë e Punëve të Brendshme u hap një poligon i ri balistik, i cili do të sigurojë që të gjitha ekzaminimet forenzike të provave balistike që lidhen me armët e vogla dhe të lehta të kryhen në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, në përputhje me standardet ndërkombëtare informon Tetovasot.

“Nevoja për një poligon të tillë është më se e qartë, sepse çdo organizatë policore e rrit ndjeshëm efikasitetin e saj kur disponon një poligon të konceptuar si laborator për hulumtime balistike. Ky kapacitet mundëson kushte të kontrolluara për testimin e armëve dhe municionit, çka çon në rezultate të sigurta dhe të krahasueshme”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Poligoni do të shërbejë gjithashtu për trajnime dhe do të ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve. “Saktësia e rezultateve rrit besimin në hetime dhe mundëson prova më të forta para organeve gjyqësore. Prandaj, ky poligon shërben si qendër trajnimi, ku stafi profesional mund të përmirësojë aftësitë dhe metodat e tij. Në këtë mënyrë, policia maqedonase jo vetëm që përmirëson punën operative, por edhe ngre standardin e përgjithshëm profesional. Me vendosjen e një kapaciteti të tillë modern, policia fiton një mjet të fuqishëm për zgjidhjen më të shpejtë, më të thelluar dhe më objektive të rasteve”, theksoi Toshkovski raporton Tetovasot.


Megjithatë, posedimi, keqpërdorimi dhe tregtia me armë të vogla dhe të lehta vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë e qytetarëve, çka e bën të domosdoshme punën e vazhdueshme në këtë fushë, theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Armen Grigorjan. “UNDP-ja, së bashku me donatorët e projektit, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në përballjen me armët e vogla dhe të lehta. Iniciativa të tilla janë thelbësore për ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe institucioneve të forta, si një nga qëllimet e Agjendës 2030, e cila ka ndikim pozitiv në shumë fusha të tjera të zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Grigorjan.

Laboratori modern balistik mundëson analiza të avancuara të trajektoreve, gjurmëve të tytave dhe shenjave të tjera mikroskopike, të cilat janë kyçe për zbardhjen e veprave penale. Kjo i mundëson policisë të identifikojë shpejt nëse një armë e caktuar është përdorur në një ngjarje konkrete.

Ndërhyrja për ndërtimin e poligonit kap vlerën rreth 200.000 dollarë amerikanë dhe është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të sistemit të forenzikës dhe hetimit në vendin e ngjarjes për përmirësimin e kontrollit penal ndaj armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga UNDP në kuadër të Udhërrëfyesit për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, nënshkrues i të cilit është Maqedonia e Veriut.

Donator i projektit është Fondi Multilateral i Mirëbesimit i Kombeve të Bashkuara për armët e vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Gjermania, Holanda, Suedia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, me mbështetje të Bashkimit Evropian.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com