Inspektori i policisë, Marsel Bicja, është vlerësuar me “Certifikatë për Shërbime të Dalluar” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për ndërhyrjen me të cilën i shpëtoi jetën një protestuesi që rrezikonte të digjej pas shpërthimit të një bombe molotov.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës së 22 dhjetorit të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.

Sipas motivacionit zyrtar, vlerësimi iu akordua në shenjë mirënjohjeje për aktin e humanizmit, vendosmërinë dhe reagimin e menjëhershëm gjatë ushtrimit të detyrës, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si misionin kryesor të Policisë së Shtetit.


Certifikata iu dorëzua inspektor Bicjas nga vetë drejtori i Përgjithshëm gjatë aktivitetit të festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Në fjalën e tij, Ilir Proda falënderoi punonjësin e policisë për veprimin e guximshëm dhe përkushtimin ndaj qytetarëve.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.

Bicja shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe u shpreh se veproi pa hezitim, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet absolut për të dhe kolegët e tij.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com