Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, sot mori pjesë në takimin e pestë të Platformës joformale për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë që u mbajt në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilin morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë, Sh.T. Martin Pamer, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij, zëvendësministri Iseni theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme e konsideron pjesëmarrjen në platformë si një përgjegjësi të rëndësishme dhe një mundësi për të përmirësuar kapacitetet nacionale në menaxhimin e rreziqeve. Ai ceku se faktorët klimatikë, ndryshimet teknologjike, sfidat kibernetike dhe kërcënimet hibride kërkojnë një sistem veprimi të bashkërenduar dhe modern.

Iseni vuri në dukje se vendi është përballur me zjarre serioze gjatë vitit të kaluar, si dhe me tragjedinë në Koçan, e cila edhe një herë konfirmoi nevojën e reagimit të shpejtë dhe të sigurt institucional. Në këtë rast, ai theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave parandalues, përmirësimit të kapaciteteve operative dhe investimit në burime njerëzore dhe teknike.

Si shembull pozitiv të bashkëpunimit ndërkombëtar, ai theksoi pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile – UCPM, përmes të cilit shteti pranoi ndihmë të konsiderueshme në përballimin e zjarreve. Ai informoi më tej se po vijon modifikimi i mbi 40 mjeteve të specializuara të armatës dhe policisë për shuarjen e zjarreve në terrene vështirë të arritshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme mbetet plotësisht e hapur për propozime, mbështetje dhe ndihmë teknike të cilat avancojnë efikasitetin, transparencën dhe qasjen moderne në sistemin për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë”, theksoi Iseni. Ai shtoi se vetëm me përpjekje të bashkuara dhe partneritete të qëndrueshme shteti mund të ndërtojë një sistem i cili do të jetë shembull në rajon.

Në fund, zëvendësministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe shprehu gatishmërinë e MPB-së për një bashkëpunim edhe më intensiv në periudhën e ardhshme.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com