Përveç barrierave financiare, Maqedonia е Veriut përballet edhe me sfida serioze strukturore, rënie të normave të imunizimit tek fëmijët, ulje të jetëgjatësisë së pritshme si pasojë e pandemisë, barrë të lartë nga sëmundjet jo-ngjitëse, prevalencë të lartë të duhanpirjes, si dhe emigrim dhe plakje të fuqisë punëtore shëndetësore. Këta faktorë e vështirësojnë më tej sigurimin e një kujdesi shëndetësor të drejtë, të qasshëm dhe cilësor për të gjithë qytetarët. Kjo theksohet në njoftimin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), me rastin e Ditës Botërore të Mbulimit Universal Shëndetësor, ku vihet në pah barra e rëndë dhe pasojat serioze që sjellin shërbimet shëndetësore të paarritshme ose me kosto tepër të larta, si për individët ashtu edhe për komunitetet, transmeton Portalb.mk.

“Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ofron një paketë bazë relativisht gjithëpërfshirëse shërbimesh, ndërsa sigurimi shëndetësor i detyrueshëm mbulon mbi 90% të popullsisë. Kjo përbën një bazë të rëndësishme për përparim drejt mbulimit universal shëndetësor. Edhe pse një pjesë e madhe e shërbimeve në nivelin primar janë falas, bashkëpagesat për kontrolle specialistike, trajtim spitalor dhe barna përbëjnë barriera për qasjen në shërbimet shëndetësore. Gjatë dekadës së fundit është vërejtur ulje e nevojave shëndetësore të paplotësuara për arsye financiare, por ato mbeten ende të larta tek personat me të ardhura të ulëta”, thonë nga ISHP.

Njëkohësisht, siç shtohet në njoftim, sistemi informativ “Termini im” ka përmirësuar ndjeshëm efikasitetin e caktimit të termineve për kontrolle dhe shërbime diagnostike, por roli i tij në kujdesin shëndetësor primar mund të forcohet më tej për të siguruar qasje më të madhe dhe vazhdimësi të kujdesit.

Në nivel global, pavarësisht angazhimeve të shumta politike dhe deklaratave ndërkombëtare për arritjen e mbulimit universal shëndetësor deri në vitin 2030, realiteti mbetet shqetësues: më shumë se gjysma e popullsisë botërore ende nuk ka qasje në shërbime bazë shëndetësore.

“Një në katër persona përballet me vështirësi financiare gjatë pagesës së shërbimeve shëndetësore nga xhepi i vet, çka shpesh nënkupton zgjedhje mes shëndetit dhe nevojave të tjera bazë si ushqimi, strehimi apo arsimi. Mbulimi universal shëndetësor nuk është vetëm një politikë shëndetësore, por parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet shoqëror. Shoqëritë me qytetarë më të shëndetshëm janë më rezistente ndaj krizave, më produktive dhe më të suksesshme. Kur njerëzit shmangin ose shtyjnë shfrytëzimin e kujdesit shëndetësor për shkak të kostove të larta, kjo çon në përkeqësim të shëndetit, rritje të barrës së sëmundjeve dhe pasoja afatgjata ekonomike për familjet dhe komunitetet”, thuhet më tej në njoftimin e ISHP.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën thirrje për veprim urgjent – forcim të masave për mbrojtje financiare, ulje dhe eliminim gradual të pagesave direkte për shërbimet shëndetësore, si dhe sigurim të qasjes së drejtë për kategoritë më të cenueshme: personat me të ardhura të ulëta, me sëmundje kronike dhe ata që përballen me forma të ndryshme të cenueshmërisë sociale.

“Dita e Mbulimit Universal Shëndetësor është një pikë mobilizuese globale që u kujton qeverive se deklaratat duhet të shndërrohen në politika, masa dhe investime konkrete. Slogani i këtij viti ‘Kosto të larta shëndetësore? Mjaft më!’ pasqyron shqetësimin dhe pakënaqësinë në rritje të njerëzve në mbarë botën që përballen me këto sfida. Për miliona familje, kjo është një përditshmëri që thellon varfërinë dhe rrit pabarazitë sociale”, thuhet në komunikatë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com