Kryetari i Komunës së Çairit dhe njëherësh kryetar i Lëvizja Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër pas mbajtjes së Kongresit të BDI, duke e cilësuar atë si një “kongres-teatër”, të organizuar pas debaklit zgjedhor, pa asnjë thirrje për llogaridhënie dhe pa asnjë përgjegjësi politike.

]Sipas Mexhitit, në vend që Kongresi të shërbente si moment reflektimi për humbjen e zgjedhjeve, ai u shndërrua në një skenë teatrale, ku askush nuk u thirr dhe nga askush nuk u kërkua përgjegjësi.

“Në vend të reflektimit, kongresi-teatër shpërndau pamflete me ‘tema madhore’ për të mbuluar dështimin, por akoma më keq, për të mos diskutuar çështjen thelbësore: kush mban përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve?”, thekson Mexhiti.

Ai vlerëson se ajo që u paraqit si reformë, në thelb ishte vetëm riciklim i emrave të vjetër, të cilët u paketuan si “të rinj” përmes një procesi që ai e quan “centrifugim”. “Por një rrobë e larë nuk është një rrobë e re”, nënvizon Mexhiti, duke shtuar se ndryshimi kozmetik nuk mund të zëvendësojë reformën reale politike.

Kreu i Lëvizjes Demokratike kritikon gjithashtu procesin e delegimit të delegatëve, duke e cilësuar atë si kontrovers dhe pa fije transparence, si në fazën e nominimit ashtu edhe në atë të kandidimit. Sipas tij, në këto kushte, Kongresi nuk mund të konsiderohet proces demokratik, por shndërrohet në farsë politike, ashtu siç ishte edhe ai i mbajtur sot.

“Pa llogaridhënie të mirëfilltë dhe pa përgjegjësi politike, çdo reformë mbetet vetëm pro forma, ndërsa Kongresi, vetëm teatër me kukulla”, përfundon Mexhiti në reagimin e tij.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com