Gjatë javës që po e lëmë pas, Komuna e Kumanovës, ka filluar aksionin për largimin e paisjeve urbane të objekteve hotelerike që në fakt në mënyrë të egër janë të vendosura në hapsirat publike.
Bëhet fjalë për objekte shtesë të ndërtuar me paisje montuese. Nga komuna e Kumanovës thonë se ky aktivitet po zhvillihet pa qasje selektive, respektivisht nuk kursehet askush në këtë drejtim.
“Nuk do të ketë qasje selektive. Të gjitha objektet për të cilat tashmë ka vendim ekzekutiv në periudhën e ardhëshme do të largohen sipas prioritetit. Të gjitha ato objekte të cilat në fakt kanë uzurpuar hapësirat publike dhe frekuentuese në tokën shtetërore në fazën e parë do të fillojnë nga pjesa qëndrore e qytetit për të vazhduar edhe në pjesët tjera të qytetit pa patur qasje selketive gjatë zbatimit të ligjit”, – u shpreh Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Largimin e pajisjeve të lartëpërmendura montuese e kryejnë vetë pronarët e objekteve hotelerike. Në të kundërtën nëse atë e bëjnë organet komunale, atëherë firmat hotelerike u nënshtrihen pagesave shtesë për tërheqjen e paisjve nga ana e organeve komunale.
Ndryshe për këtë qëllim komuna e Kumanovës me buxhetin e vitit 2025 ka paraparë rreth 3 milion denarë sa i përket këtij aktiviteti për lirimin e hapësirave publike.
Vlen të theksohet se ky aktivitet do të vazhdojë edhe gjatë muajit janar të vitit 2026.