Kallëzim penal kundër ish-drejtoreshës dhe punonjësve të Qendrës për Punë Sociale në Tetovë, si dhe tre personave nga Bogovina, për shkak të keqpërdorimeve gjatë realizimit të së drejtës për kompensim për aftësi të kufizuara
SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër H.A. (46) nga Tetova, i punësuar si shef sektori në Institucionin Publik “Qendra për Punë Sociale” – Tetovë, dhe V.A. (49) nga Tetova, drejtoreshë e institucionit, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Swiss Residence
Gjithashtu, kallëzim penal është ngritur kundër Q.B.D. (34) nga Tetova, bashkëpunëtor profesional, dhe A.Lj. (40) nga Tetova, punonjëse sociale në të njëjtin institucion, për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Ndërkohë, kallëzim penal është paraqitur edhe kundër M.N. (57), Sh.S. (52) dhe A.F. (54), të tre nga fshati Bogovinë, për veprat penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “dhënie e deklaratës së rreme”.
Gjatë vitit 2024, i dyshuari i parë ka përgatitur dhe miratuar vendime pozitive për përfitimin e kompensimit për person me aftësi të kufizuar të rëndë fizike, në emër të personave të pestë dhe të gjashtë të kallëzuar, pa u kryer më parë verifikimi i nevojshëm. Ndërsa e dyshuara e dytë, në cilësinë e drejtoreshës, ka nënshkruar dhe miratuar vendim pozitiv mbi të njëjtën bazë edhe për personin e shtatë të kallëzuar.
I treti dhe i katërti të kallëzuar, të cilët kanë udhëhequr procedurat për këto raste, nuk kanë kryer kontroll të drejtpërdrejtë në familjet e përfituesve. Ndërsa personat e pestë, të gjashtë dhe të shtatë, gjatë procedurës pranë organit kompetent – QPS Tetovë, kanë paraqitur kërkesa duke dhënë deklarata të rreme se i plotësojnë kushtet për përfitimin e kompensimit, si dhe kanë dorëzuar dokument zyrtar të falsifikuar – mendim konsiliar.
Pas kontrolleve të kryera, është konstatuar se personat në fjalë nuk kanë pasur fare termin të caktuar për ekzaminim.