Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) zhvilloi sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u zgjodh Klodian Braho, i cili mori 7 vota. Braho u zgjodh mes 4 kandidatëve dhe do të ketë një mandat trevjeçar, duke zëvendësuar në këtë pozicion Altin Dumanin. I dyti me tri vota u rendit Adnan Xholi, Elvin Gokaj mori 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Të katër kandidatët, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, paraqiten përpara anëtarëve të KLP-së platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, shkruan ATSH, transmeton KosovaPress.

Mbledhja u organizua në praninë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.

Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

Ka pasur këto detyra:

14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com