Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar unanimisht propozimin për mbështetje financiare të nënave lehona, duke realizuar një nga premtimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.
Sipas vendimit të miratuar, çdo nënë lehonë do të përfitojë 200 euro mbështetje financiare, ndërsa zbatimi i kësaj mase pritet të nisë në janar të vitit 2026.
Kryetari Vishi e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikave sociale në komunë, duke theksuar se ky ishte angazhimi i tij i parë publik pas marrjes së detyrës.
“Premtimi im i parë si Kryetar i Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e nënave lehona, në vlerë prej 200 euro, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se institucionet komunale do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj mbështetjes së familjes dhe fëmijëve.
“Zbatimi i këtij premtimi fillon nga janari i vitit 2026. Kujdesi për familjen dhe sidomos për fëmijët mbetet prioriteti ynë”, ka deklaruar Vishi.
Nga Komuna e Kaçanikut kanë bërë të ditur se kriteret dhe procedurat e aplikimit për këtë mbështetje do të publikohen në kohë.