Policia në disa qytete të vendit ka ngritur kallëzime penale dhe ka regjistruar një sërë incidentesh penale gjatë ditëve të fundit.
Siç mëson Tetovasot, SPB Shtip ngriti kallëzim penal kundër N.S. (39) nga Shtipi, për veprën penale “prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike”. Gjatë një bastisjeje të realizuar në qershor 2025 në shtëpinë e saj, policia ka gjetur dhe sekuestruar peshore digjitale me mbetje heroine.
SPB Tetovë ngriti kallëzim penal kundër B.A. (44) dhe F.A. (45) nga fshati Bogovinë, për veprën penale “shkatërrimi ose dëmtimi i instalimeve publike”. Më 29.09.2025, gjatë punimeve në oborrin e Spitalit Klinik të Tetovës, me një ekskavator u dëmtuan kabllot elektrike, duke lënë pa energji elektrike një pjesë të madhe të qytetit.
Në një rast tjetër, SPB Shtip ngriti kallëzim penal kundër Z.E. (38) nga Shtipi për “hyrje të paautorizuar në sistem kompjuterik”, pasi më 01.09.2025, përmes një bankomati, përfitoi në mënyrë të kundërligjshme 25.000 denarë duke përdorur të dhëna bankare të huaja.
SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal kundër E.B. (33), i cili u prezantua rrejshëm si punonjës i një agjencie turistike dhe mashtroi një person për një udhëtim në Turqi, duke i marrë 373.890 denarë.
Në Shkup, më 17/18.12.2025, policia privoi nga liria G.F. (35) nga Radovishi dhe një 16-vjeçar nga Shkupi, te të cilët u gjetën substanca narkotike. Gjithashtu, një këmbësore 56-vjeçare u godit nga një automjet “Porsche” në një kryqëzim në Shkup, duke pësuar lëndime të rënda trupore.
Në rajonin e Velesit, një shofer 44-vjeçar pësoi lëndime të rënda pasi automjeti i tij doli nga rruga në aksin Gradsko–Negotinë.
SPB Tetovë ngriti kallëzim penal edhe kundër B.H. (44) nga komuna e Bogovinës për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të paligjshëm të tokës.
Ndërkohë, në Kriva Pallankë është ngritur kallëzim penal kundër një të mituri 16-vjeçar për rrezikim të sigurisë, ndërsa në Probishtip është proceduar penalisht një person për pengim të gazetarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Policia po heton edhe disa raste grabitjesh në Shkup, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe dhunë në familje. Pas dokumentimit të plotë të të gjitha rasteve, ndaj personave të përfshirë do të vijojnë parashtresa përkatëse penale.