Kryeministri bullgar tha se nuk ka çështje të hapura me Shkupin, Mickoski: Duhej të ishim në BE shumë kohë më parë
Nuk kemi çështje të pazgjidhura dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk jemi të përfshirë në asnjë mosmarrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut për çështje që lidhen me të ashtuquajturin kompromis të korrikut 2022, tha dje në Bruksel kryeministri bullgar në largim Rosen Zheljazkov, ku mori pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, raportoi agjencia bullgare e lajmeve BGNES, transmeton Portalb.mk.
“Ky është një qëndrim pan-evropian. Qëndrimi ynë si shtet anëtar është që çdo vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bazuar në meritat e veta, duhet të vlerësohet për progresin e tij nga Unioni, dhe jo nga një shtet anëtar individual”, shtoi Zheljazkov.
Kur u pyet për asetet e ngrira ruse, ai theksoi se rregullorja do të rishikohet.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë mbështetje parimore për sovranitetin e Ukrainës, duke përfshirë mundësinë e financimit të gjithçkaje që lidhet me arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, si dhe restaurimin e Ukrainës”, tha Zheljazkov, duke theksuar se qëndrimi i Bullgarisë do të sinkronizohej me vendet evropiane.
Ai shtoi se nuk kishin shqetësime për hyrjen e Bullgarisë në eurozonë.
“Me institucione funksionale, të cilat besoj se qeveria e përkohshme do t’i përdorë për të shpërndarë të gjitha frikërat, ne do të përballemi edhe me këtë sfidë”, shtoi Zheljazkov.
Është mirë kur Ballkani Perëndimor është në perspektivën e Bashkimit Evropian dhe është inkurajuese edhe për qytetarët e rajonit, sepse në këtë mënyrë tregohet interesi për të ardhmen tonë të përbashkët, tha nga ana tjetër kryeministri Hristijan Mickoski mbrëmë pas mbërritjes së tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Ballkani Perëndimor, theksoi ai, gjeografikisht i përket Evropës dhe është logjike që ata të integrohen brenda Bashkimit Evropian.
“Ne si vend e meritonim këtë shumë kohë më parë, sepse rruga jonë filloi 25 vjet më parë, por për shkak të, do të thoja, arsyeve artificiale, ende nuk mund të jemi pjesë e familjes evropiane”, theksoi Mickoski.
Ai theksoi se shteti dhe Qeveria janë të përkushtuara për të ofruar gjithçka që nevojitet në procesin e anëtarësimit në BE, por jo për shkak të vetë procesit, por, mbi të gjitha, për shkak të qytetarëve maqedonas, sepse ata e meritojnë.
“Kështu kemi punuar deri më tani dhe kështu do të vazhdojmë të punojmë. Presim që çështjet dypalëshe të mos jenë pengesë për ne, por përkundrazi, presim mbështetje nga fqinjët tanë në këtë ambicie tonën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe ajo që është më e rëndësishme është që ne të gjykohemi nga arritjet tona, jo nga çështjet dypalëshe”, shtoi kryeministri Mickoski.
Në Samit, udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë partneritetin e tyre të ndërsjellë strategjik, integrimin gradual të rajonit në BE, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Siç thuhet në njoftimin e mbledhjes, Samiti është një mundësi për të demonstruar dhe konfirmuar forcën e marrëdhënies strategjike midis Unionit dhe rajonit dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.
RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.