Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh përkujtimi dhe nderimi për familjen Krasniqi dhe viktimat e granatimit të fshatit Krivenik në vitin 2001, duke theksuar se drejtësia për këtë rast ende nuk është vënë në vend.
“Nuri dhe Nurie Krasniqi ta mbushin zemrën plot. Qëndrestarë dhe të palodhur, ata pasqyrojnë forcën e të moçmëve tanë”, ka shkruar Kurti.
Ai rikujtoi se më 29 mars 2001, Nuri Krasniqi u plagos gjatë granatimit të fshatit Krivenik nga ana e Maqedonisë së Veriut, asokohe ushtria e FYROM-it. Në atë sulm tragjik u vra Baki Krasniqi, djali 21-vjeçar i Nurit, si dhe mësuesi Ilaz Thaçi, i cili, sapo mori vesh se fshati po granatohej, largoi nxënësit nga klasa dhe vetë mbeti i vrarë gjatë orës mësimore.
Gjatë granatimit humbi jetën edhe gazetari britanik Keren Lawton, i cili ndërroi jetë rrugës për në kampin Bondsteel.
“Kjo është një plagë e hapur. Drejtësi ende nuk ka për këtë rast”, theksoi Kurti, duke falënderuar familjen Krasniqi për mikpritjen e përzemërt dhe duke nderuar kujtimin e të rënëve.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët në Krivenik”, përfundoi kryeministri.