Kuvendi ka miratuar Propozim-Ligjin për Këshillin Gjyqësor me 73 vota “për” dhe një “abstenim”. Ligji synon vendosjen e themeleve për një Këshill Gjyqësor më të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor informon tetovasot.
Sipas sqarimeve, ligji sjell një sërë risish të rëndësishme, përfshirë transparencë publike në procedurën e shkarkimit të kryetarit të Këshillit, si dhe përcaktim më të qartë të kritereve për zgjedhjen e “juristit të shquar”.
Një tjetër risi është parashikimi i debatit publik gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqtarë, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Po ashtu, forcohen kriteret për zgjedhjen, përgjegjësinë dhe shkarkimin e anëtarëve nga radhët e gjyqtarëve raporton Tetovasot.
Ligji përcakton rregulla të qarta për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe anëtarëve të Këshillit, detyrimin për vendime të arsyetuara gjatë zgjedhjes dhe vlerësimit të përgjegjësisë, si dhe afate të qarta për ndërmarrjen e veprimeve dhe procedurën e ankesës ndaj vendimeve të Këshillit.
Autoritetet theksojnë se ligji përmban edhe zgjidhje të tjera në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, ndërsa me këto reforma Këshilli Gjyqësor pritet të jetë një garant më i fuqishëm i sundimit të ligjit dhe i besimit në gjyqësor.