Lazio ka konfirmuar se trajneri kryesor Maurizio Sarri i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje në zemër, pasi u diagnostikua me fibrilacion atrial.
Në një deklaratë zyrtare, Lazio bëri të ditur se Sarri iu nënshtrua të hënën një operacioni të quajtur ablacion me kateter në “Poliklinikën Tor Vergata” në Romë dhe se ndërhyrja, e kryer nga profesori Andrea Natale, ka qenë e suksesshme.
Trajneri i “Biancocelestëve” ishte diagnostikuar me fibrilacion atrial, një çrregullim që shkakton rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës, dhe që mund të sjellë simptoma si lodhje, marramendje, vështirësi në frymëmarrje, si dhe rrit rrezikun për mpiksje gjaku dhe potencialisht për goditje në tru.
Lazio ka konfirmuar se Sarri pritet të rikthehet në drejtimin e përditshëm të skuadrës brenda ditëve të ardhshme.
Ndërkohë, ndihmëstrajneri Marco Ianni do ta zëvendësojë Sarrin përkohësisht dhe do të drejtojë stërvitjet në ditët në vijim.
“SS Lazio konfirmon se trajneri Maurizio Sarri iu nënshtrua një ndërhyrjeje të ablacionit me kateter në Poliklinikën Tor Vergata pas diagnostikimit me fibrilacion atrial,” thuhet në deklaratën e publikuar të hënën në faqen zyrtare të klubit.
“Operacioni, i kryer nga profesori Andrea Natale, një pionier ndërkombëtar me mbi 30 vite përvojë në trajtimin e kësaj sëmundjeje, u realizua me rezultat pozitiv. Mjeku i klubit Lazio, Dr. Italo Leo, ishte i pranishëm gjatë procedurës. Trajneri do të rifillojë drejtimin normal të skuadrës në ditët në vijim. SS Lazio dhe trajneri falënderojnë Poliklinikën Tor Vergata dhe ekipin e profesorit Natale për profesionalizmin dhe cilësinë e kujdesit që garantojnë për të gjithë pacientët”, përfundon njoftimi i Lazios.