Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale fitoi rreth 17 mijë vota, por ato nuk mjaftuan për t’u zgjedhur kryetar, pasi nuk u arrit censusi.
Ai do t’i hyjë garës përsëri, në zgjedhjet që do të mbahen më 11 janar. Se si erdhi deri tek kjo, Limani në emisionin “Debat në Shenja”, deklaroi se ekzistojnë informata të sigurta se grupe të caktuara brenda koalicionit VLEN kanë dhënë udhëzime që pas orës 15:00 qytetarët të mos dalin në votim.
“Njëra prej arsyeve është se kemi informata të sigurta që grupe brenda këtij koalicioni pas orës 15:00 kanë dhënë instruksione të mos dilet të votohet. Po ashtu, siç e përmenda edhe më herët, lista e votuesve nuk është mirë e azhurnuar, por edhe faktorë të tjerë ndikuan që censusi të mos arrihet për vetëm 21 vota. Sepse nëse do të kishte pakënaqësi reale, atëherë censusi do të mungonte me 2 ose 3 mijë vota, e ndoshta edhe më shumë”, theksoi Limani.
Ai shtoi se përsëri do të jetë kandidatit i AKI-së, ndërsa tha se nuk është penduar që ka qenë pjesë e koalicionit AKI gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.
“Jo, aspak. Nëse flasim posaçërisht për Gostivarin, rezultatet janë të dukshme dhe shumë të qarta. Mendoj se ishte një rezultat i jashtëzakonshëm edhe në Vrapçisht, ku zgjedhjet po përsëriten. Besoj se e njëjta situatë do të përsëritet edhe në zgjedhjet e radhës”, theksoi Limani.
Ndërkaq, sa i përket të besuarit të qeverisë Fadil Xhelili, i cili ditë më parë u caktua të udhëheqë me komunën e Gostivarit, Limani tha ai është një adiminsitator i përkohshëm sa për ti kryer disa detyra deri më 11 janar, pasi siç tha, Gostivari përsëri do të udhheqet nga vet Limani.