Qytetarët e Shkupit po mbyten prej ditësh nga ajri i ndotur. Sipas të dhënave zyrtare, Shkupi është qyteti më i ndotur në Evropë, ndaj kërkojmë shpalljen e gjendjes së krizës ekologjike dhe shëndetësore në qytet, u tha në konferencën për shtyp të grupit të këshilltarëve të LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Nga partia kërkojnë miratimin e një vendimi me të cilin ulja e ndotjes së ajrit të përcaktohet si prioritet, si dhe t’i jepet përparësi financimit të masave nga Qyteti i Shkupit, pasi deri më tani nuk janë investuar mjete në projekte për ajër më të pastër dhe qytetarët janë lënë të përballen vetë me problemin.

“Kjo duhet të ndryshojë menjëherë. Bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve të Shkupit, për gjysmë milioni banorë – fëmijë, të rinj dhe të moshuar, të gjithë janë të prekur. Për këtë arsye, grupi i këshilltarëve të LSDM-së dhe koalicioni në Qytetin e Shkupit kanë paraqitur iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Kërkojmë mbështetje nga të gjitha grupet këshilltare në Këshill që kjo seancë të mbahet dhe të përcaktohen përfundime dhe masa urgjente. Shëndeti i qytetarëve të Shkupit është në rrezik dhe për këtë arsye duhet së bashku të miratojmë masa për zgjidhjen e problemit”, thonë nga LSDM.

Në seancë, grupi i këshilltarëve të LSDM-së do të propozojë këto masa: transport publik falas në ditët kur ajri është i ndotur; kërkesë ndaj qeverisë për fonde për filtra falas në oxhaqet e ndotësve të mëdhenj; ridestinim i mjeteve për pastrues ajri për qytetarët dhe për ngrohje ekologjike; ndalim i ngrohjes me dru dhe qymyr në zonat ku ekziston ngrohje qendrore; pastrim i deponive ilegale në territorin e Qytetit të Shkupit; larje e rrugëve dhe sigurim fondesh për projekte ekologjike.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com