Qyteti i Shkupit sot zhvilloi një aksion të gjerë dhe të koordinuar inspektues me qëllim vendosjen e rendit, kontrollit dhe respektimit të rregulloreve ligjore në hapësirat publike të qytetit. Në aksion morën pjesë Inspektorati i Qytetit, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa një pjesë e masave u fokusuan në dy pika problematike – rruga “Plastiçarsma” dhe hapësira e “Zimzolend”.

Nga Qyteti njoftojnë se janë ndërmarrë masa konkrete, janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse dhe janë konstatuar një sërë parregullsish, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së hapësirës publike dhe sigurimit të një mjedisi të rregullt dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në publikimin e tij në rrjetet sociale theksoi se janë shqiptuar mbi 20 gjoba në lokacionin “Plasticharska”, ku ekipet e Ndërmarrjes Publike “Parkingjet e Qytetit” larguan automjete të parkuara në mënyrë të parregullt që pengonin lëvizjen dhe cenonin rendin publik.

“Nuk ka lëshime, nuk ka kompromis me kaosin”, theksoi kryetari, duke shtuar se çdo shfaqje që uzurpon hapësirën publike të Shkupjanëve do të largohet.

Pas ankesave të qytetarëve, shërbimet inspektuese ndërhynë edhe në hapësirën e “Zimzolend”. Në vendngjarje u konstatua se Qyteti i Shkupit nuk kishte lëshuar leje për kryerjen e veprimtarisë atje, si dhe u vërejtën një sërë parregullsish, veçanërisht ushtrim i veprimtarisë jashtë objektit.

Për pajisjet dhe aktivitetet argëtuese që nuk janë pjesë e programit të Komunës së Aerodromit, shërbimet e qytetit urdhëruan që inspektori ndërtimor i komunës të veprojë sipas rregulloreve ligjore.

Kryetari theksoi se Qyteti i Shkupit do të vazhdojë pa kompromis luftën kundër çdo parregullsie, çdo përpjekjeje për uzurpim dhe çdo kaosi që rrezikon hapësirën publike.

“Ky qytet meriton rend, dhe shkupjanët meritojnë një vend dinjitoz, të sigurt dhe të rregullt për të jetuar. Rendi është obligim. Dhe ne po e përmbushim”, tha Gjorgjievski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com