Me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, organizoi një aktivitet sensibilizues dhe profesional me temën “Nga sjelljet sfiduese te gjithëpërfshirja e nxënësve me aftësi ndryshe”, në bashkëpunim me Qendrën për Shërbime Psikologjike dhe Neurozhvillimore “Piramida”.
Aktiviteti u hap nga prodekania për shkencë, Doc. Dr. Teuta Ramadani Rasimi, e cila theksoi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse në arsim. Ajo vuri në pah nevojën për përshtatje të sistemit arsimor, si dhe sfidat që lidhen me menaxhimin e sjelljeve sfiduese në mjedisin shkollor.
Më pas, prezantimin kryesor e mbajti znj. Xhixhe Stafuga, psikologe shkollore dhe terapiste ABA nga Qendra “Piramida” (Shqipëri). Ajo solli një qasje të thelluar praktike mbi kuptimin e funksioneve të sjelljeve sfiduese dhe mënyrat e menaxhimit të tyre përmes Analizës së Aplikuar të Sjelljes (ABA). Znj. Stafuga prezantoi raste konkrete nga mjedisi shkollor, shpjegoi dallimin ndërmjet etiketimit dhe përkufizimit të sjelljes, si dhe theksoi rëndësinë e analizës funksionale (ABC) për hartimin e planeve efektive të ndërhyrjes.
Përmes shembujve dhe strategjive praktike, ajo argumentoi se ndërhyrjet e strukturuara, qasja proaktive dhe bashkëpunimi multidisiplinar janë çelësi për përfshirjen reale dhe funksionale të nxënësve me aftësi ndryshe.
Aktiviteti u pasurua nga një pjesëmarrje e gjerë e mësuesve të shkollave fillore të rajonit të Pollogut, asistentëve arsimorë dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, përfshirë edukatorë specialë, rehabilitatorë dhe psikologë, duke dëshmuar interesimin e lartë të komunitetit arsimor për temat e gjithëpërfshirjes dhe menaxhimit të sjelljeve sfiduese.
Ky organizim shërbeu si një mundësi reflektimi dhe shkëmbimi profesional, duke forcuar lidhjen ndërmjet teorisë dhe praktikës, si dhe duke konfirmuar rolin e Fakultetit Pedagogjik si një aktor kyç në promovimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta në shkollat gjithëpërfshirëse.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com