Rritja e sigurisë së ushqimit që hyn në vend përmes një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar mes Drejtorisë së Doganave dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe lehtësimi dhe përshpejtimi i tregtisë legale. Këto janë përfitimet konkrete të dakorduara me Memorandumin e bashkëpunimit, i cili sot u nënshkrua nga drejtori i Drejtorisë së Doganave , Boban Nikollovski, dhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov.

“Siguria e ushqimit është një nga prioritetet tona kryesore. Thelbi i Memorandumit është qasja e forcuar dhe e koordinuar përmes shkëmbimit të informacionit, me ç’rast veprojmë në mënyrë parandaluese për të penguar çdo përpjekje për krim me ushqimin. Çdo përpjekje për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve do të sanksionohet rreptësisht. Njëkohësisht, forcimi i bashkëpunimit është kyç edhe për përmirësimin e veprimit kundër mashtrimeve doganore me ushqim. Shkëmbimi i informacionit është thelbësor për të shtypur këto vepra kriminale përmes analizës së të dhënave, krijimit të profileve të rrezikut dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe kapjes së autorëve”, theksoi drejtori Nikollovski.

Drejtori i AUV-së, Millanov, thotë se nënshkrimi i Memorandumit përfaqëson një konfirmim të qartë të përkushtimit të përbashkët të të dy institucioneve për veprime të koordinuara, bashkëkohore dhe transparente, me qëllim përmirësimin e sistemeve të kontrollit të ushqimit dhe kafshëve, lehtësimin e tregtisë dhe afrimin me rregulloret dhe standardet evropiane.

“Me Memorandumin, theksi vihet te përmirësimi i sistemeve për gjurmim të kafshëve dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme, duke siguruar kështu mbrojtje shtesë të interesave publike dhe mirëqenies së kafshëve. Veprimi i përbashkët është një hap përpara drejt modernizimit të institucioneve, rritjes së besimit të sektorit bujqësor dhe sigurimit të një tregu të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët,” thotë Millanov.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dhuruar gjithashtu lexues elektronikë të mikroçipave që u vihen në dispozicion oficerëve doganorë gjatë kontrollit të kafshëve shtëpiake. Kjo forcon kapacitetin për identifikimin dhe verifikimin e pronësisë së kafshëve, veçanërisht gjatë kalimit të pikave të kontrollit kufitar, gjë që është gjithashtu një masë për të parandaluar kontrabandën dhe për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë sanitare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com