Shkruan: Merxhan Jakupi
Ruajtja e trashëgimisë së vlerave kombëtare dhe shpirtërore në shtetet perëndimore akoma vazhdon të kultivohet dhe të ruhet më një përkushtim të jashtëzakonshëm. Shqiptarët, si shoqëri patriarkale, kolektiviste dhe tradicionale, e kishin më të lehtë të bartnin dhe të ruanin vlerat e trashëgimisë kombëtare dhe shpirtërore.
Brezi i parë që doli në vendet e perëndimit gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta, kishte një kohezion social. Shqiptarët, kur dolën në shtetet perëndimore, dolën si kolektiv. Një ndër tiparet dhe atributet që i karakterizonte dhe që rrallë popull e ka, ishte solidariteti social dhe mikpritja. Shqiptarët dolën si zinxhir njëri pas tjetrit në shtetet perëndimore. Çdo shqiptar nga Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe Lugina e Preshevës, kur nisej me një biletë si turist, shkonte tek vëllezërit, kushërinjtë, miqtë e tyre. Këta turistë rrinin deri tre muaj, deri sa t’u gjenin punë familjarët dhe miqtë e tyre. Ishte vullnet dhe obligim i çdo mërgimtari që të gjithë turistët që vinin nga vendlindja t’iu gjenin punë, qoftë si familjar, mik ose bashkëfshatar. T’i mbante në banesë, ose mes kolegëve dhe miqve t’u gjente punë kushërinjve, mikut ose bashkëfshatarit të tyre.
Disa kolegë serbë dhe boshnjakë mua dhe një kolegut tim ku punonim na thanë: “Ju shqiptarët jeni shumë të lidhur dhe solidarë mes vete, në krahasim me ne serbët, boshnjakët ose kroatët. Ne as vëllain tonë nuk mund ta mbanim në banesë tre muaj dhe t’i gjenim punë.” Këto tipare dhe vlera, na thanë kolegët, rrallë popull tjetër i ka.
KONAKU I FAMILJES REXHEPI
Gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta, shumë mërgimtarë nga katundi i Malësisë së Sharrit, komuna e Tetovës, Veshalla, dolën në Zvicër. Më së shumti këta mërgimtarë, që në fillim të viteve të 60-ta erdhën të parët, nga ky katund për të punuar nëpër stalla, kryesisht në kantonin St. Gallen, në qytetin e vogël dhe të bukur Wil. Më vonë ky qytet u bë qendra e malësorëve nga katundi Veshallë dhe katundi Bozovcë. Shumica nga këta dy katundet e Malësisë së Sharrit të komunës së Tetovës ishin kushërinj, nipa e stërnipa.
Mërgimtarët shqiptarë tërë javën punonin dhe fundjavën, më së shumti e kalonin duke shkuar tek familjarët, shokët dhe miqtë. Shumica e mërgimtarëve malësorë të katundit Veshallë shkonin te familja Rexhepi. Dy vëllezërit Mamuti dhe Xhaferi ishin malësorë bujarë, mikpritës dhe human. Që nga fillimi i viteve të 70-ta, kjo shtëpi u shndërrua si dhomat mikpritëse të burrave nëpër kullat shqiptare. Tek këta dy vëllezër, çdo mbrëmje dhe posaçërisht në fundjavë më së shumti vinin pas darke mërgimtarë malësorë duke u çlodhur, pirë kafe, biseduar e qarë hallet deri vonë.
Tek konaku i dy vëllezërve Mamuti dhe Xhaferi shpesh vinin turistë nga vendlindja për të gjetur punë. Turistët shpesh banonin me muaj tek kjo shtëpi e vëllezërve bujarë dhe mikpritës. Po ashtu Mamuti dhe Xhaferi, kur vinin turistë, shpesh flinin në kuzhinë, kurse në dhomë flinin miqtë e ardhur nga vendlindja për të gjetur punë.
Ata, së bashku me mërgimtarët tjerë, mes miqve u ndihmonin turistëve për të gjetur punë. Shumica e shqiptarëve që vinin nga vendlindja dhe qytete tjera, viteve të 70-ta dhe 80-ta, kanë gjetur punë falë ndihmës së këtyre dy vëllezërve, miqve dhe shokëve nga katundi Veshallë. Shumë mërgimtarë gjetën punë në Zvicër. Ky konak i dy vëllezërve ka qenë i hapur deri në vitet 90-ta, kur mërgimtarët filluan t’i sjellin familjet e tyre.
Po ashtu, vëllezërit Mamuti dhe Xhaferi kanë ndihmuar dhe kontribuar së bashku me shumë mërgimtarë për hapjen e xhamisë së parë në fund të viteve të 80-ta në qytetin Wil, të kantonit St. Gallen.
Në këtë qytet, më 6 dhjetor të këtij viti, shoqata e katundit Veshallë mbajtën manifestimin për festat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit tonë kombëtar. Tashmë në këtë qytet ishin tubuar tre breza: brezi i parë, që një pjesë kishin vdekur dhe pjesa tjetër qenë plakur; brezi i dytë, që kishin ardhur në fëmijëri ose kishin lindur në Zvicër; dhe brezi i tretë.

Shumica e brezit të parë nga katundi i Malësisë së Sharrit, Veshallë dhe katundit fqinj Bozovcë, që nga ardhja e brezit të parë në vitet e 60-ta dhe70-ta dhe vitet e 90-ta, janë të koncentruar në këtë qytet dhe rrethinë. Shpesh në opinion dhe në komunë kanë bërë pyetje, duke menduar se ky katund i vogël në Malësinë e Sharrit është një provincë ose qytet i madh.
Po ashtu në vendlindje, nga shumë malësorë dhe mërgimtarë, thuhet se ka tre Veshalla:
– njëra është Veshalla autoktone që është shprazur,
– njëra Veshalle është në qytetin Wil,
– dhe e treta në Tetovë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com