Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, u përgjigj në pyetjen lidhur me zgjedhjen e ushtruesit të detyrës Prokuror Publik i Shtetit dhe pritshmëritë nga sfera e prokurorisë në periudhën e ardhshme. Mickoski vuri në dukje se, nga informacionet që disponon, procedura për zgjedhjen e Prokurorit të Shtetit në Kuvend duhet të përfundojë brenda 2 muajve. Kriteret për zgjedhje, sipas Mickoskit, janë sjellë në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili u miratua nga pushteti i kaluar i LSDM-së dhe BDI-së, dhe me të cilin u ndalua mundësia që profesorët, avokatët dhe juristët e shquar të zgjidhen si Prokurorë Publikë të Shtetit.

Pres që brenda kësaj periudhe të zgjidhet një prokuror publik dhe ai prokuror publik të fillojë një punë themelore dhe të vështirë. Shumë gjëra e presin . Në një bisedë joformale me kolegët në Qeveri dhe institucione në këto një vit e gjysmë të kaluar, pak a shumë dekurajuese për të gjithë ne, pati një fenomen në të cilin institucionet ngrenë kallëzime penale, dhe prokuroria hesht. Dhe nëse zhvilloni një bisedë me anëtarë të qeverisë dhe institucioneve, do të shihni se ka disa qindra raste të tilla. Ne që jemi të sjellshëm dhe nuk bëjmë shfaqje ose nuk përpiqemi të hyjmë në shtëpi në mëngjes, para fëmijëve të të dyshuarve, dhe nën maskën e një hetimi të filmojmë me kamera, siç ishte rasti në të kaluarën, kjo nuk do të thotë se ato parashtresa nuk janë paraqitur. Është logjike që qytetarët shpesh reagojnë, theksoi Mickoski.

Mickoski tha se i kupton qytetarët, por duhet të dihet se me qindra lëndë të tilla qëndrojnë nëpër sirtarët e Prokurorisë. Prokurori duhet ta kthejë besimin te institucioni i Prokurorisë Publike, e më pas përmes proceseve edhe besimin te gjykatat.


Shpresoj që kushdo që do të jetë prokuror publik në të ardhmen, do të merret shumë më tepër dhe në mënyrë më të detajuar me këtë. Kjo është reforma thelbësore. Nuk është reformë thelbësore paga më e lartë apo buxheti më i lartë. Reformë thelbësore është lufta për drejtësi. Populli është i etur dhe i uritur për drejtësi dhe dëshiron të shohë luftë të vërtetë. Ne si Qeveri nuk jemi pushtet gjyqësor, nuk jemi prokurorë. Ne mund të dorëzojmë kallëzim. Nga ai moment e tutje, prokurorët dhe gjyqtarët janë ata që akuzojnë dhe ata që gjykojnë, tha Mickoski.

Kjo është shumë e rëndësishme për periudhën që vijon, sepse një pjesë e madhe e ligjeve që janë pjesë e agjendës reformuese, lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian, do të jenë para jush. Një pjesë e tyre e kanë kaluar filtrin e Komisionit të Venecias. Një i tillë është Ligji për Këshillin Gjyqësor, i cili tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare dhe pres që të miratohet në një debat të frytshëm. Pastaj do të vijë Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, pastaj Ligji për shërbimin e prokurorisë publike, për shërbimin gjyqësor, afërsisht një grup ligjesh që pres të gjenden këtu në Kuvend gjatë muajit janar – theksoi Mickoski, dhe shtoi se si Qeveri pajtohet me kërkesën e prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve që planet për punësime dhe avancime t’i miratojë Këshilli i Prokurorëve dhe Këshilli Gjyqësor, ndërsa Qeveria vetëm të informohet.

Kemi dhënë udhëzim që të bëhet një hartëzim i nevojave të gjykatave dhe prokurorive publike për punonjësit që janë pjesë e shërbimit, si ekspertë të IT-së, kontabilistë, asistentë teknikë etj, dhe mbi bazën e atij hartëzimi, ne si Qeveri të sigurojmë mjete me buxhet, t’i plotësojmë ato me rebalancin dhe ato vende të plotësohen. Gjithçka që ata kanë kërkuar nga ne, ne e kemi përmbushur, tha kryeministri.

Kryeministri Mickoski kujtoi ndryshimet në Kodin Penal që u bënë nga Qeveria e kaluar, për të siguruar amnisti politike për një pjesë të madhe të ish-funksionarëve.

Tani po shohim se dalin dhe kritikojnë se do të ketë mundësi për dënime me kusht, apo se dënimet qenkan të vogla. Jo. Bëni një analizë krahasuese dhe do të shihni se ne jemi përsëri më rigorozë se të gjitha vendet e rajonit. Ne nuk shkelim në dërrasë të kalbur – përfundoi Mickoski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com