Shkruan Urim Saliu- Tetovasot
Elegji për mantelat e bardha të përjashtuara
Ka padrejtësi që nuk bërtasin, por dhembin. Dhe ka heshtje që nuk janë pajtim, por lodhje. E tillë është sot heshtja e motrave medicinale dhe mjekëve që, pas vitesh shërbimi, po largohen nga spitalet si të ishin tepricë, jo shtyllë e sistemit.
Presioni politik i qeverisë së kaluar, por edhe i kësaj të sotmes i vuri gjithmonë para aktit të kryer. Pa siguri, pa vendim, pa të ardhme. A kishin faj që nuk reaguan me kohë? Po. A ka faj partia që i futi në punë por nuk i sistemoi kurrë? Natyrisht që po. Por asnjë nga këto nuk e justifikon urdhrin e sotëm për t’i larguar dhe lënë në rrugë, në mëshirë të fatit. Ky është akt i ulët, i keq, nënçmues dhe thellësisht poshtërues.
Askush nuk është kundër punësimeve të reja. Shoqëria ka nevojë për gjak të ri, për energji të reja. Por jo duke shkelur mbi fatin e atyre që tashmë kanë përvojë, që kanë kaluar pavione, urgjenca, turne nate dhe ditë pa fund. Jo duke fshirë me një firmë njerëz që e njohin spitalin jo nga zyrat, por nga korridoret e ftohta dhe dhomat e mbushura me dhimbje.
Ata që luftuan me Covid-in nuk kishin luksin e zgjedhjes. Ata hynë aty ku frika ishte më e madhe se kudo. Në një spital që shpesh spital ishte vetëm në emër, por që mbante brenda historitë më të errëta të një kohe të frikshme. Panë vdekje, dëgjuan britma, mbajtën duar që ftoheshin dhe premtime që nuk u mbajtën kurrë. E sot, pas gjithë asaj sakrifice, po largohen si të panevojshëm.
Po, ka mjekë të mirë që shërbejnë me ndërgjegje. Por tmerri më i madh nuk është mungesa e profesionistëve është prania e disa drejtuesve që presin fatet e të tjerëve me ftohtësinë e një skalperi, duke prerë jetë profesionale pa ndjeshmëri, pa përgjegjësi, pa turp.
Këta njerëz sot po kthehen në shtëpi të heshtur, me mantilat e bardha të palosura, me dinjitetin e lënduar dhe me një pyetje që s’ua përgjigjet askush: “Çfarë bëmë gabim?” Ata nuk janë fajtorë. Ata janë të përdorur. Janë të lodhur. Janë të braktisur.
Kjo nuk është thjesht çështje kontratash. Është çështje morali. Sepse një shtet që i përzë shërbyesit e tij më të përvuajtur, nuk ndërton shëndetësi ndërton frikë. Dhe një shoqëri që hesht përballë kësaj, rrezikon të mbetet pa ata që nesër do t’i duhen më shumë se kurrë.
Kjo është një elegji për mantelat e bardha që po largohen në heshtje. Dhe një aktakuzë për ata që i lanë vetëm.