Musa Xhaferi flet për TS pasi do tē largohet nga kryesia e BDI-së: Kush s’ka sukses, një hap prapa (VIDEO)
Gazetari i TS, Nevrij Ademi, po qëndron sot në Kongresin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili po mbahet në Shkup, ku ka realizuar një prononcim me Musa Xhaferi,N lidhur me zhvillimet dhe pritshmëritë nga ky kongres.
I pyetur nga TS nëse është ndër emrat që po përmenden për largim nga pozitat partiake, Xhaferi u përgjigj se nuk sheh arsye për një gjë të tillë, duke theksuar se vendimet do të merren nga organet e partisë.
“Ta shohim. Kongresi tani do të zgjedhë Këshillin e Përgjithshëm. Do të ketë të rinj, por edhe të vjetër. Do të ketë edhe nga strukturat e vjetra. Tani nuk e di se si do të merret vendimi,” u shpreh për TS, Musa Xhaferi.
Në pyetjen se çfarë do të nënkuptonte një largim i tij nga pozitat partiake, Xhaferi tha se ndryshimet janë pjesë normale e proceseve politike.
“Ka pasur raste edhe më herët për funksione partiake. Është shumë normale. Do të ketë ndryshime. Ata që nuk kanë pasur sukses, besoj se do të reflektojnë dhe do të bëjnë vetë një hap prapa. Do të vazhdojnë të kontribuojnë, do të ketë përsëri betejë dhe konkurrencë. Rruga është e hapur për të gjithë,” theksoi ai.
Kongresi i BDI-së pritet të përcaktojë përbërjen e re të organeve drejtuese dhe drejtimin e mëtejmë politik të partisë./TS