Në janar nuk do të nisë “shporta qeveritare e konsumit”! Për festa nuk ka masa, çmimet e ushqimit nuk janë rritur
Shporta qeveritare e konsumit nuk do të publikohet në janar, siç u paralajmërua disa ditë më parë. Nuk ka asnjë mundësi për rritje intervenuese të pagës minimale, pasi produktiviteti është i ulët dhe kompanitë nuk do ta përballojnë. Për festat nuk do të ketë masa, sepse çmimet e ushqimit nuk janë rritur, deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili tha se metodologjia e re për shportën qeveritare të konsumit është e gatshme, u është dorëzuar sindikatave dhe punëdhënësve që para zgjedhjeve dhe tani po presin vërejtje prej tyre.
“A kanë kritika, a kanë propozime, a pajtohen apo jo. Ajo metodologji është gjithëpërfshirëse, bazohet në institucione relevante, ku nuk e konteston shportën minimale sindikale të sindikatave, por ne kemi bërë një metodologji më konkrete, e cila më saktë do të tregojë sa është një shpenzim, një shportë mesatare e konsumit për një familje, familje katëranëtarëshe”, tha Besar Durmishi.
Ministri Durmishi tha se nuk do të ketë Shportë të Vitit të Ri, as masa për kufizimin e çmimeve, sepse çmimet nuk janë rritur.
“Ne, kur kishte sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, sollëm masa që ishin zgjidhje afatshkurtra. Kështu që, diçka e tillë deri më tani, ja edhe para dy ditësh dhe sot jam në kontakt me drejtorin e Inspektoratit të Tregut, deri më tani nuk kemi informacione se ka diçka të tillë apo sjellje devijuese ose rritje të çmimeve, konkretisht për ato produkte që përdoren më shumë gjatë festave”, deklaroi Durmishi.
Ai edhe një herë e përsëriti qëndrimin se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale dhe do të respektojë gjithçka që do të bien dakord sindikatat dhe punëdhënësit.
“A jemi në rajon me pagën minimale më të ulët dhe për këtë ju përgjigja se pas nesh janë Turqia, pas nesh është Shqipëria, Bullgaria, Kosova, pra janë shtete që kanë pagë minimale më të ulët se vendi ynë. A na kënaq kjo neve? Jo”, deklaroi ai.
Durmishi tha se Qeveria mbetet në qëndrimin për harmonizim ligjor të pagës minimale në mars. Sipas përllogaritjeve, ajo duhet të rritet për rreth 30 euro dhe të arrijë mbi 26.000 denarë.