Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Studentëve, e organizuar nga Parlamenti Studentor, me temë “Kërkimi studentor: dija që ka rëndësi”. Kjo konferencë ka për qëllim të promovojë shkencën, të nxjerrë në pah potencialin kërkimor të të rinjve dhe të krijojë një hapësirë bashkëpunimi ndërkombëtar që nxit inovacionin dhe mendimin kritik. Në këtë ceremoni morën pjesë prorektorë, senatorë, dekanë, profesorë, ish-kryetarë të Parlamentit Studentor, përfaqësues të institucioneve dhe një numër i madh studentësh nga brenda dhe jashtë vendit.
Në fjalën e tij, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, theksoi dimensionin historik dhe identitar të Universitetit të Tetovës. Ai rikujtoi se UT-ja nuk është vetëm qendër akademike, por simbol i një rrugëtimi të gjatë për dije, liri dhe dinjitet kombëtar. “LIRIA NUK ËSHTË E LIRË. Në bazë të kësaj premise u ruajt, u ringrit dhe u mbajt gjallë Universiteti i Tetovës. Sepse nuk ishte mrekulli por sakrificë dhe nuk ishte dhuratë por vendosmëri. Kur flasim për Universitetin e Tetovës, nuk flasim vetëm për një institucion akademik. Flasim për një histori të tërë rezistence. Arsimimi në gjuhën shqipe nuk ka qenë vetëm e drejtë — ka qenë akt emancipimi, akt vetëmbrojtjeje dhe akt lirie. Edhe vetë Lea Ypi filozofja e shquar shqiptare dhe autorja e kryeveprës “Të lirë” tha: “Universiteti i Tetovës është shëmbëlltyra dhe realizimi i idesë së kërkimit të lirisë.” Ka pasur momente kur fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e kombit. Momente kur Universiteti nuk ishte vetëm vend i dijes, por vend i rezistencës; vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vend ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë. Sa më shumë që rritej presioni për ta ndalur arsimin shqip, aq më shumë rritej vendosmëria për të mos u dorëzuar. Sa më shumë që mohohej e drejta për dije, aq më qartë kuptohej se liria dhe arsimi ecin gjithmonë bashkë. Universiteti i Tetovës u ringrit dhe u mbajt gjallë jo vetëm nga mësimdhënësit e tij, por nga populli që e themeloi; nga studentët që hynin nëpër auditorë edhe kur auditorët ishin të rrethuar; nga familjet që i hapën shtëpitë e tyre si klasa; nga një ide e pandalshme se dija, një ditë, do t’i hapte popullit tonë rrugë drejt lirisë, zhvillimit dhe dinjitetit. Sot, në Konferencën e dytë studentore, kujtojmë se UT nuk është thjesht universitet — është akt historik. Edhe Parlamenti Studentor i UT-së nuk është thjesht një strukturë përfaqësimi — por motori dhe promotori i brezit që beson se e ardhmja ndërtohet me punë.” – theksoi Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në vijim të fjalimit të tij, ai tha se Universiteti i Tetovës nuk është thjesht vatër dijeje. Universiteti i Tetovës ka ADN-në e tij dhe gjithkush që përpiqet ta sabotojë këtë ADN dhe që mundohet ta devijojë frymën e UT-së…si për ironi të fatit vetëpërjashtohet. Jo nga universiteti – por nga historia e tij, nga rrjedha natyrore e zhvillimit. Ata të gjithë, secili në kohën e vet, kanë qenë digë e fortë ndaj çdo sfide. “Sot, dua t’ju uroj me zemër suksese në të gjitha punimet tuaja. Jeni ju ata që e mbani gjallë frymën e Universitetit dhe jeni ju ata që nesër do ta çoni më larg se çdo brez para jush. Sytë tanë janë kah ju. Dua ta dini se në çdo hap që do të bëni ne do t’ju qëndrojmë pas me gjithë potencialin dhe mbështetjen që meritoni. Mos e harroni historinë as kur pas disa dekadash rrëfimi për Universitetin e Tetovës ndoshta do të ndahet vetëm nga një vijë e hollë demarkacioni mes legjendës dhe një realiteti të dikurshëm. Mos lejoni që sakrifica e atyre që ndërtuan themelet e këtij institucioni të shndërrohet vetëm në tregim. Mbajeni gjallë, ruajeni, barteni me vete, sepse historia e këtij universiteti nuk është vetëm kujtesë — është identitet dhe obligim moral për çdo brez që vjen pas” – u shpreh në përfundim të fjalës së tij, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UT-së, organizator i kësaj konference, z. Leart Ibraimi, tha se kjo veprimtari, të cilën po e organizojmë, është një mundësi e shkëlqyer për të dalë përtej kufijve të mësimeve të përditshme, për të hulumtuar më thellë, për të bërë pyetje dhe për të kërkuar përgjigje.
“Ky është një eveniment që ka sjellë studentë nga fusha të ndryshme për të krijuar ura bashkëpunimi, miqësie dhe rrjete profesionale që do të zgjasin përtej ambienteve universitare. Ky është një shkëmbim idesh dhe përvojash, ku mund të zhvillohemi jo vetëm si individë, por edhe si pjesë e një shoqërie akademike më të gjerë. Fati ynë është që sot nuk e fillojmë gjithçka nga e para; hapat e parë u hodhën vitin e kaluar me Konferencën e Parë Studentore. Dhe, ndërsa ata vendosën themelet, ne sot kemi përgjegjësinë ta vazhdojmë këtë traditë dhe ta bëjmë Konferencën e Dytë Studentore edhe më të vlefshme, më të organizuar dhe më të ndikueshme sesa e para, sepse ajo ndërtohet mbi përvojën dhe mësimet e edicionit të kaluar. Asgjë nga kjo që shihni sot nuk është vepër e një personi të vetëm. Dua t’i falënderoj nga zemra ekipin organizativ të konferencës, ekipin e Kuvendit Studentor që pranoi sfidën dhe nuk tha “është e pamundur”, por “le ta provojmë”, profesorët dhe mentorët që besuan te ne, si dhe stafin administrativ që është kujdesur për detajet që nuk duken, por që ndihen kur mungojnë. Një konferencë studentore nuk është thjesht një aktivitet i përkohshëm, as një ngjarje formale që kryhet çdo vit. Ajo është një hapësirë ku idetë marrin jetë, ku zërat tanë dëgjohen dhe ku ne, si të rinj, marrim përgjegjësi në formësimin e së ardhmes. Këtu nuk kemi vetëm abstrakte dhe prezantime; kemi ide që kanë lindur në auditorë, në praktikat klinike, në projekte dhe në biseda mes kolegësh. Ato na lejojnë të artikulojmë problemet që shohim, të propozojmë zgjidhje dhe të tregojmë se brezi ynë ka potencial, kreativitet dhe vizion. Ato na fuqizojnë që të kemi rol aktiv në ndryshimin që duam të shohim. Të dashur studentë, pjesëmarrja në një konferencë është një investim në vetveten. Ajo është një mundësi për të mësuar, për të rritur besimin në aftësitë tuaja dhe për të hedhur hapat e parë drejt një rrugëtimi profesional të suksesshëm. Le ta shfrytëzojmë këtë konferencë si një platformë për të ndarë njohuri, për të sfiduar veten dhe për të krijuar një të ardhme më të ndritur.”- tha Kryetari i Parlamentit Studentor të UT-së, Leart Ibraimi.
Më pas, znj.Bora Muzhaqi, Alumni në Shkollën Ekonomike dhe Shkencave Politike në Londër, folëse kryesore e konferencës, ndau perspektivat bashkëkohore rreth rolit të studentëve në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Ndërkaq folësja e dytë e kësaj konference ishte Dr. Eldisa Cirogu, Alumni në Universitetin Sapienza të Romës, e cila trajtoi temën e rëndësisë së metodologjisë kërkimore dhe ndikimit të saj në cilësinë e prodhimit shkencor studentor.
Konferenca do të përfundojë punimet nesër me workshopin: “Ndihma bazë për jetën”. Ceremonia solemne e kësaj konference u përmbyll me një pikë artistike nga studentët e Fakultetit të Arteve, Rinesa Krasniqi dhe Hadim Misimi.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com