Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, më 22 dhjetor 2025, u mbajt ligjëratë me temë: “Analizimi i Brexit-it: Diskursi ndërkombëtar në prag të referendumit të Mbretërisë së Bashkuar për BE-në në vitin 2016”, e zhvilluar nga Anthony Ridge-Newman, dekan i Asociuar i Fakultetit të Arteve Kreative dhe Shkencave Humane në Liverpool Hope University.

Ligjërata u organizua në ambientet e Fakultetit Filologjik dhe u ndoq me interes nga studentët, stafi akademik, duke sjellë një analizë mbi diskursin politik dhe ndërkombëtar që i parapriu referendumit të vitit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe pasojat e këtij procesi për Evropën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e vlerësoi praninë e profesorit Ridge-Newman, duke theksuar se ajo përbën një dëshmi të rëndësisë së bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe të shkëmbimit të ideve. Ajo theksoi se universitetet nuk janë vetëm hapësira mësimi, por edhe ura që lidhin perspektiva të ndryshme, kultura akademike dhe mënyra të të menduarit kritik e kreativ. Sipas saj, përvoja historike e Brexit-it ka ndikuar jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në të ardhmen e Evropës dhe më gjerë, duke hapur debate të thella mbi sovranitetin, integrimin evropian, identitetin kombëtar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.


Dekania nënvizoi gjithashtu se për studentët, kjo ligjëratë përfaqëson një thirrje për mendim kritik dhe për analizë të politikave komplekse, si dhe për të kuptuar ndikimin e drejtpërdrejtë të vendimeve politike në jetën e qytetarëve.

Ndërsa, shefja e programit studimor, të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Doc. Dr. Lindita Skenderi, përshëndeti të pranishmit dhe foli për qëllimin e organizimit të kësaj ligjërate, duke theksuar se departamentet e gjuhës nuk janë vetëm vende ku mësohen gramatika dhe fjalori, por hapësira ku shqyrtohen kuptimi, identiteti, pushteti dhe shoqëria përmes diskursit. Ajo nënvizoi se studimi i gjuhës angleze, si dhe i gjuhëve në përgjithësi, është thelbësor në botën e sotme, pasi anglishtja funksionon si një medium global përmes të cilit prodhohen, qarkullojnë dhe sfidohen narrativa politike, debatet publike dhe diskurset institucionale përtej kufijve.

Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës në vazhdimësi angazhohet për organizimin e aktiviteteve që nxisin mendimin kritik, dialogun ndërkulturor dhe lidhjen e studentëve me zhvillimet bashkëkohore.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com