Nikolloski: Lidhje e Korridorit 10 me Korridorin Struma në Bullgari dhe 14 projekte të mëdha në Strumicë
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, sot është për vizitë pune në komunën Strumicë ku po merr pjesë në Mbledhjen Solemne të Komunës me rastin e Ditës së Mbrojtësve të Strumicës.
Gjatë takimit me kryetarët ai theksoi se NP për rrugë shtetërore tashmë e përfundoi projektin për një trase për rrugën e shpejtë e cila lidh Korridorin 10 dhe Korridorin Struma në Bullgari, gjegjësisht pjesën nga Smokvica përmes Vallandovës, Strumicës, Novo Sellës dhe kufirit me Bullgarinë.
Ministri gjithashtu tha se 14 projekte infrastrukturore janë paraparë për komunën Strumicë me mbështetje të Qeverisë, ndërsa paralajmëroi edhe projekte të reja për komunën.
“Dua t’ju përgëzoj për këtë festë të madhe, Ditën e Qytetit të Strumicës, dhe t’ju uroj shumë shëndet, lumturi, prosperitet dhe sukses. Dua të përmend se pas zgjedhjeve lokale, kemi qenë në bashkëpunim intensiv me kryetarin e komunës dhe administratën e re komunale, dhe shumë gjëra tashmë po ecin përpara. Më e madhja dhe ajo që premtuam është lidhja e Korridorit 10 me Korridorin Struma në Bullgarinë fqinje, përkatësisht ndërtimi i autostradës që shkon nga Smokvica përmes Vallandovës, Strumicës, Novo Sellës dhe kufirit me Bullgarinë. Projekti për njërën linjë tashmë është përfunduar nga NPRRSH, ndërsa për linjën e dytë është në një fazë të avancuar dhe po punojmë seriozisht për të gjetur financim”, deklaroi Nikolloski.
Theksoi se po punohet në dy rrugë të mëdha, ka edhe dhjetë të cilët janë në procedurë për zgjedhjen e kontraktorit dhe edhe dy projekte të cilat janë përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor.
“Janë 14 projekte të mëdha për fillimin e kësaj vetëqeverisjeje lokale, që mendoj se është diçka që Strumica nuk e ka pasur për një kohë të gjatë, dhe mbështetja e Qeverisë, mbështetja ime personale dhe ajo e kryeministrit do të vazhdojnë të punojnë në projekte të reja në periudhën që vjen. Jemi në komunikim me kryetarin e komunës, do të kemi takim pune më serioz dhe do të përcaktojmë prioritetet për periudhën e ardhshme”, deklaroi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski.