Njohja e Somalilandit si shtet i pavarur nga Izraeli, Këshilli i Sigurisë së OKB-së lajmëron takim urgjent
Këshilli i Sigurisë së OKB-së do të mbajë një takim urgjent të hënën mbi njohjen e Somalilandit nga Izraeli, gjë që ka zemëruar Somalinë dhe ka shkaktuar reagime të forta nga shumë vende në rajon.
Të shtunën, 21 vende arabe dhe myslimane lëshuan një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar se vendimi i Izraelit do të kishte “implikime serioze për paqen dhe sigurinë në Bririn e Afrikës” dhe në rajonin më të gjerë të Detit të Kuq.
Deklarata e përbashkët, e lëshuar nga qeveria e Katarit, dënoi veprimin e Izraelit, duke thënë se ai “përbën një shkelje serioze të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”. Ajo gjithashtu dënoi “përpjekjet për të dëbuar me forcë palestinezët nga tokat e tyre”, mes raporteve se njohja e Somalilandit është e lidhur me planet për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës.
Vendimi i Izraelit për të njohur këtë provincë të shkëputur të Somalisë, e cila deri më tani nuk ishte njohur nga asnjë vend në botë, si një shtet i pavarur erdhi vetëm disa ditë para se Somalia të merrte presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Somalilandi shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj në vitin 1991, në një kohë kur Somalia po zhytej në kaos pas përmbysjes së regjimit ushtarak të diktatorit autoritar Siad Barre. Që atëherë, ajo ka vepruar në mënyrë autonome, me monedhën e vet, ushtrinë dhe policinë, dhe stabilitet relativ krahasuar me pjesën tjetër të Somalisë, e cila është e rrënuar nga konflikte kronike politike, ndërsa përballet edhe me sulme nga rebelët islamistë të Al-Shabaab.
Megjithatë, deri më tani, asnjë vend nuk e ka njohur atë si shtet, duke rezultuar në izolim politik dhe ekonomik pavarësisht se ndodhet në një vendndodhje strategjike, në hyrje të Ngushticës Bab el-Mandeb, në një nga rrugët më të rëndësishme detare tregtare në botë, që lidh Oqeanin Indian me Kanalin e Suezit.