Pasi surprizuan publikun me paraqitjen e përbashkët në emisionin “Robi plaket kur don vet”, ish-çifti i njohur Nora Istrefi dhe Robert Berisha kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre të radhës.
Atmosfera në studio, e cila u karakterizua nga batuta sportive, energji pozitive dhe performanca live me “Robi Band”, u prit mirë nga ndjekësit, duke u parë si një dëshmi e raporteve të tyre të maturuara pas ndarjes.
Gjatë emisionit, dyshja ndanë skenën duke interpretuar bashkë, moment ky që duket se ka shërbyer si pikënisje për t’u rikthyer si kolegë edhe në evente të tjera.
Tanimë është konfirmuar se Nora dhe Roberti do të jenë bashkë edhe në punë gjatë ditëve festive. Në rrjetet sociale po qarkullon posteri zyrtar, i cili njofton performancën e tyre të përbashkët më 2 janar. Kjo shënon një etapë të re në karrierën e tyre, ku përtej historisë personale, ata bashkojnë forcat për të sjellë atmosferë festive për publikun. 